Ngjarje

Vrau pronarin e lokalit dhe plagosi të birin, autori pranon krimin: Kam qenë i dehur

Sofokli Shano ka pranuar se është ai autori i vrasjes së 62-vjeçarit Irakli Qorri dhe plagosjes së djalit të tij, Kejdi. Ngjarja ndodhi pak minuta para mesnatës së të mërkurës në 2 qershor, fshatin Fier i Ri në Lushnjë, ku 57-vjeçari ka qenë duke pirë në lokalin e familjes së viktimave.

Gjykata e Lushnjës ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Shano ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Para trupës gjyqësore, ai ka pranuar akuzën e vrasjes dhe ka theksuar se e ka kryer aktin duke qenë në gjendje të dehur.

Ai u përfshi në një debat me pronarin e lokalit për një gotë raki, debat i cili pasoi fillimisht në një konflikt fizik. Klienti goditi me karrige në kokë 62-vjeçarin dhe djemtë e tij më pas reaguan, duke e dhunuar 57-vjeçarin.

Më pas Shano ka shkuar në banesë, ku ka marrë armën kallashnikov që mbante pa leje dhe është rikthyer në lokal duke qëlluar ndaj babë e bir.

Irakli Qorri humbi jetën në vend, ndërsa Kejdi Qorri mbeti i plagosur në gjendje të rëndë dhe është sjellë për trajtim të specializuar mjekësor në Tiranë. Autori i krimit u vetëdorëzua në policinë lokale të Lushnjës pas ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë