Lajme

Vrau policin në Lazarat, deportohet pas 4 vitesh nga SHBA autori

Është deportuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një prej anëtarëve të grupit kriminal të Lazaratit, që vrau efektivin e policisë në Lazarat në qershor 2015. Policia bën me dije se shtetasi i deportuar është Ruhan Hiraj, 22 vjeç banues në Lazarat, Gjirokastër.
Deportimi i tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë është bërë i mundur pas një operacioni të gjatë 1-vjeçar.
Siç bën me dije policia 22-vjeçari i deportuar rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në vitin 2018, e ka dënuar këtë shtetas me 15 vjet burg, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale.
Mbi të rëndojnë veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”.

Ngjarja
Në qershor të vitit 2015, në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër, 22-vjeçari Ruhan Hiraj në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë të repartit “Renea”, të cilët kanë qenë brenda në automjetin e policisë në vendin e quajtur “Pularia”.
Si pasojë e këtyre të shtënave mbeti i vrarë brenda në automjetin e policisë, punonjësi i Policisë, Ibrahim Basha, si dhe janë plagosur punonjësit e policisë, J. I. dhe P. H.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë