Ngjarje

Vrau kolegun para shërbimit në komisariatin Nr.3, flet polici ‘i bullizuar’: Ishte mbushur kupa, nuk durova më!

Gazeta Si - Kishte vetëm një vit e gjashtë muaj efektiv policie, por megjithëse kishte veshur uniformën për të garantuar rendin dhe për të arrestuar keqbërësit, ato pranga tani u përdorën kundër tij. 

Polici i ri e vrau më të vjetrin pak minuta para se të merrnin shërbimin për turnin e tretë si patrullë e përgjithshme.

Ludian Zaimi nga Skrapari, mosha 25 vjeç, shtiu me armën e shërbimit mbi kolegun e tij 35 vjet më të madh në moshë, i cili bënte shaka me të dhe shpesh e ironizonte.

LEXO EDHE:
Tronditet Tirana, një polic vritet me armë zjarri nga kolegu i tij brenda komisariatit Nr.3

Çaush Saliasi, u përcoll me plagët e rënda të pistoletës në Spitalin e Traumës, por polici që shërbeu përmbi 20 vjet në Policinë e Shtetit, nuk ia doli dot.

Ai ndërroi jetë pas 20 minutash pasi ishte futur për ndërhyrje urgjente, pa ia dalë t’i shpëtonte shokut  vdekjeprurës të plumbave.

Ngjarja ndodhi në brendësi të komisariatit numër 3 dhe asnjë nga efektivët që ishin të pranishëm në këtë skenë të rëndë, nuk qe në gjendje të parandalonte vrasjen në një ambient policor.

“Nuk e kishim parashikuar dhe as shkuar kurrë në mend, që Ludiani do kryente vrasje. Ishte i urtë. Shumë i urtë dhe shumë i mbyllur. Nuk kishin marrëdhënie konflikti me njëri-tjetrin dhe as mosmarrëveshje”, thotë për Gazetasi.al njëri nga punonjësit e policisë në këtë komisariat.

Autori (majtas) dhe viktima, Çaush Saliasi

Sipas tij, shakatë e tepruara me Ludianin, asesi nuk ishin bullizëm. Por ndryshe mendon një polic i ri pranë këtij komisariati.

“Ai bullizohej prej më të mëdhenjve dhe nuk fliste, nuk kishte asnjë shkak. Në polici duhet të jesh çakmak, ndryshe të vënë përpara, ne të rinjtë i quajmë këta të vjetrit "xhaketat e vjetra", dinë hile, praktikisht duhet të jenë mentorët tanë, por na i kthejnë punën në një sfidë dhe praktikisht jeta në polici të mërzitet”, thotë i riu.

Megjithatë, zyrtarisht krimi në komisariatin numër 3 është deklaruar për motive banale dhe pritet të ketë një tjetër reagim zyrtar.

Burime të besueshme i thanë Gazetasi.al se asnjë nga policët, por as grupi, nuk kishin depozituar ankesa për grindje të mundshme.

Këtë pikë e ka sqaruar efektivi që u kthye në vrasës, pasi për herë të parë në jetë nuk ruajti dot qetësinë.

“Më shau dhe e bënte këtë gjë përherë, pa arsye. Ishte mbushur kupa dhe në atë çast nuk durova më. Nuk e di çfarë ndodhi më pas”, deklaroi përpara kolegëve të tij 25-vjeçari.

Ai dorëzoi menjëherë armën, pasi kishte qëlluar njëherë, bëri të ikte dhe pastaj u kthye dhe qëlloi sërish.

Një ekspert, i thotë Gazetasi.al, se duke iu referuar kësaj ngjarjeje, por edhe krimit kur një tjetër polic si Arbër Sula vrau në një market për radhën një të ri të dehur, se ka ardhur momenti që në komisariatet shqiptare të atashohen me urgjencë psikologë.

“Po kthehet gjendja e viteve 2000, kur policët nga stresi, mbingarkesa, kërkesa e pavend e llogarisë, shkarkimi I shefave të ngarkesës dhe rrezikimi i jetës së përditshme pa i mbrojtur kurrkush, i ka kthyer policët e terrenit në agresivë. Policia duhet ta pranojë këtë fakt dhe të ndryshojë sa më shpejt ndihmën për policët në terren, ata kanë nevojë për psikologë tek të cilët duhet të kontrollohen veçanërisht, pas operacioneve që lënë trauma tek ata”.

Disa herë Gazetasi.al, ka shkruar për sjelljen agresive të policisë në raport me qytetarët.

Të tjerë e shohin problemin tek dëmtimi strukturor i Policisë së Shtetit. “E kemi thënë, - kujton një ish-zyrtar policie për Gazetasi.al, - një polic qëndron deri sa del në pension polic i thjeshtë me 50 mijë lekë rrogë në rast se ai nuk ka mik, mbështetje qoftë politike apo më keq akoma nga biznesi dhe individë të dyshimtë”.

Por kur ish-zyrtari i thotë Gazetasi.al, se mos ngritja në karrierë, kërkesa e llogarisë që rëndon nga shefat që ngrihen në detyrë pa meritë“, e bën situatën kritike dhe të zezë, duke e kthyer policin e thjeshtë në përdorues alkooli, të dhunshëm në disa raste me bashkëshortet, përdorues mjetesh në gjendje të dehur, përdorues droge“.

“Pra, praktikisht ne kemi një polici të shpartalluar, efektivë që futen në akademi pa filtrat e duhur dhe këtë duhet ta pranojmë sa jemi në kohë, por nga ana tjetër, të mos harrojmë inkriminimin e zyrtarëve, që është fakt dhe këtu nis e mbaron çdo gjë”, mbyll citimin ish-zyrtari i policisë për Gazetasi.al.

Nga ana tjetër, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka nisur hetim për të dyja rastet, edhe për të Kombinatit, kur një oficer plagosi nën gjendje të dehur një qytetar dhe në rastin e 25-vjeçarit, që do të referohet në prokurori për akuzën e vrasjes me paramendim.

Ai është transportuar gjatë menatës me pranga në duar drejt ambienteve të Policisë së Tiranës pranë rrugës “Myslym Shyri”, ku do të presë prokurorinë derisa ajo ta dorëzojë si të paraburgosur dhe do të kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë