Drejtësia

Vrau kolegun me armën e shërbimit, dënohet me 35 vite burg ish-polici Ludian Zaimi

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vite burg Ludian Zaimin, punonjësi i policisë që vrau vrau kolegun e tij Çaush Saliasi brenda ambienteve të Komisariatit numër 3 në Tiranë.

Në dhjetor 2022, Gjykata e Tiranës refuzoi kërkesën e Zaimit për gjykim të shkurtuar në procesin ku ai akuzohet.

Togat e zeza pranuan gjykimin e dosjes së prokurorisë, në të cilën citohen dëshmi të kolegëve të viktimës, efektivë të komisariatit ku ndodhi ngjarja, të cilët kanë thënë se autori e ka paramenduar krimin madje ka pasur plan të arratisej pasi të ekzekutonte kolegun.

Gjykata vlerësoi të drejtë kualifikimin e veprës penale nga prokuroria për "vrasje me dashje ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj".

Në dosjen hetimore, thuhet se me vlerë është dëshmia e një prej kolegëve të Zaimit, ku ngrihen dyshime se ai e ka planifikuar më përpara vrasjen.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 23 majit 2022, teksa po ndërroheshin turnet dhe në sallë ishin kolegët e tjerë.

Efektivi 25 vjeçar me origjinë nga Skrapari, qëlloi 6 herë me armën e shërbimit kolegun 30 vite më të madh.

Asokohe, ai dëshmoi se bullizohej prej kohësh nga Saliasi. Për debatet e vazhdueshme, Zaimi nuk kishte bërë ankesë tek eprorët apo te komandanti por kolegët ishin në dijeni të konfliktit të tyre.

“Isha shumë i mërzitur. Prej kohësh më shante dhe këtë gjë e bënte përherë. Në disa raste edhe pa arsye. Edhe kur të dy ishim në të njëjtin shërbim më thoshte ‘qorr’. Ishte mbushur kupa dhe në atë çast nuk durova më, pasi kisha akumuluar prej kohësh. Nuk e di çfarë ndodhi më pas”, deklaroi pas ngjarjes i riu.

Për viktimën, Zaimi ka thënë se fillimisht ka pasur marrëdhënie shoqërore me të, por më pas janë konfliktuar.

Prokuroria pretendon më tej, ndryshe nga sa këmbënguli mbrojtja, referuar aktit të ekspertimit psiko-ligjor, se Ludjan Zaimi nuk vuante dhe nuk vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet e tij.

Vepra penale për të cilën akuzohet ish-polici, ka një marzh dënimi  jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Zaimi e kishte planifikuar vrasjen e kolegut që shërbente për më shumë se 20 vjet në radhët e Policisë së Shtetit.

Prej kohësh ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes.

Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditë kur po bëhej instruktazhi. Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit.

Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit.

Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë