Drejtësia

Vrau burrin me sqepar në kokë, dënohet me 14 vite burg nëna e 10 fëmijëve në Kurbin

Gazeta Si - Drane Deda, e cila vrau bashkëshortin e saj rreth një vit e gjysmë më parë në Kurbin, është dënuar me 14 vite burg.

Gjykata e Kurbinit e dha vendimin këtë të premte për 60-vjeçaren, nënë e 10 fëmijëve.

Ajo goditi me sqepar në kokë pas mosmarrëveshjeve familjare Llesh Dedën në 6 nëntor 2020.

Pas shqyrtimit të çështjes, gruaja u shpall fajtore për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare” dhe u dënua me 21 vite burg.

Por ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe iu ul 1/3 e dënimit. Deda do të vuajë 14 vite në një burg të sigurisë së zakonshme.

Drane ka treguar se ditën kur ka ndodhur krimi në mesnatë, kanë pasur konflikte me bashkëshortin dhe se e ka qëlluar me sqepar në momente trishtimi dhe mërzitje.

Ajo ka pohuar para grupit hetimor se gjithçka i ishte akumuluar në ato momente, pasi i shoqi ia kishte nxirë jetën.

E ka goditur me sqepar në kokë bashkëshortin, kur ishte duke fjetur gjumë në krevat.

Këto konflikte asnjëherë nuk i ka raportuar në polici, pasi sipas saj Lleshi, pinte alkool dhe e ka trajtuar keq.

Si pasojë e goditjes, burri mori plagë serioze dhe gjeti vdekjen pak ditë më vonë në spitalin e Traumës në Tiranë.

Por referuar dosjes hetimore, thuhet se në momentin e ngjarjes, çifti i bashkëshorteve kanë qenë të vetëm në banesë dhe para ngjarjes kanë debatuar me njëri tjetrin, pasi burri e dhunonte vazhdimisht gruan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë