Rend dhe Ligj

Vajza refuzoi fejesën me emigrantin nga fshati i saj: Babain e qëllova me armë në kasolle. Nuk pendohem, jam e lumtur!

Gazeta Si - Fejesa me djalin që nuk e njihte dhe nuk dëshironte që të realizohej, dyshohet se është shkaku që Hygerta Meta të ketë vrarë me pistoletë babain e saj, Pëllumb Meta.

Krimi i rëndë u zbulua pas hetimeve, ndërsa vajza gjatë dëshmisë, pranoi krimin, ndërsa pohoi se e kishte vrarë babain se ky i fundit donte që ta fejonte pa dëshirën e saj.

“Unë e vrava babain, sepse donte të më martonte me dikë që nuk e doja, me një djalë nga fshati që ishte emigrant. Unë doja të vijoja shkollën, - ka dëshmuar 19-vjeçarja para grupit hetimor. - Kishim pothuajse përditë konflikte dhe përplasje. Më tha që kjo punë është vendosur, do fejohesh me atë që të them unë dhe pikë”, ka dëshmuar e reja, duke thënë se kishte vetëm dy opsione: ose të arratisej, ose ta vriste të atin.

Në dëshminë fillestare, 19-vjeçarja mësohet se ka qenë në një gjendje të rënduar, por më pas u ka thënë hetuesve që nuk pendohet aspak për krimin, pasi i ati kishte qenë një njeri i dhunshëm, një person autoritar në familjen e tyre dhe çdo gjë duhej të bëhej sipas vendimeve që ai merrte.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime.19-vjeçarja ka deklaruar po ashtu se në momentin kur i ati i ka thënë se do ta fejonte pa dëshirën e saj, “u mbusha me urrejtje kundrejt babait”, gjë që e çoi drejt vrasjes së tij.

Pëllumb Meta donte që ta fejonte me një djalë nga fshati i saj, Shënavlash, por që ishte emigrant. Vajza mësohet se ishte studente në vitin e parë në Ekonomi-Biznes dhe nuk pranonte që të fejohej, pasi donte të vazhdonte shkollën.

Policia kishte dyshime se kishte të bënte me një ngjarje kriminale dhe nisi marrjen në pyetje të gjithë familjes dhe ajo që ka treguar ngjarjen ka qenë vajza 19-vjeçare.

Dyshohet nga policia dhe po vijojnë hetimet se 19-vjeçarja mund të ketë pasur një bashkëpunëtor.

Kjo pasi referuar dinamikës së krimit, vrasja, lidhja me litarë dhe qese, sipas policisë është një proces i pamundur për t’u kryer e vetme nga 19-vjeçarja.

Sa i përket ditës së krimit, 19-vjeçarja u tha hetuesve se babë e bijë ishin vetëm në shtëpi dhe mohoi ta ketë ndihmuar dikush tjetër.

“Një ditë nisëm të debatonim prap kur ishim në shtëpi. Nëna ishte në arë. Mora pistoletën dhe e qëllova. Më pas kisha frikë mos më fusnin në burg dhe mendova të fshihja trupin e babait. Pasi e varrosa në afërsi të banesës mendova se edhe policia e besoi se ai ishte zhdukur. Unë e kam kryer e vetme krimin, nuk më ka ndihmuar askush”.

Sipas dëshmisë së saj ajo ka deklaruar se e ka vrarë babanë pranë banesës në kasolle me një pistoletë për të cilën ajo pretendon se e mbante i ati pasi ky i fundit punonte si roje nate.

Pasi e ka vrarë babain, Hygerta Meta e mblodhi me qese plastike dhe e ka varrosur të atin 50-vjeçar Pëllumb Meta po në kasolle.

Viktima u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive brenda rrethimit të banesës së tij. Ai është gjetur i mbështjellë me plastmas dhe pastaj është futur në gropë për të humbur të gjitha gjurmët.

Një nga djemtë ka bërë denoncim se babai ka humbur dhe policia ka nisur hetimet dhe kontrollet dhe kanë gjetur fillimisht makinën e të ndjerit të parkuar në aksin Shënavlash-Parku Rinia që ishte shumë larg nga banesa e tij.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen, sepse dyshon se mund të ketë edhe bashkëpunëtorë.

Është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit dhe nga këqyrja paraprake është vërejtur që e kishin lidhur me litar para se ta varrosnin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë