Gazeta Si - Sherret dhe konfliktet mes adoleshentëve në shkolla dhe pranë ambienteve të tyre, që kanë përfunduar në tragjedi, nuk janë të pakta në Shqipëri.
Gjithçka nis në rrjetet sociale, një fyerje, një kërcënim, “pse më sheh shtrembër” apo “punë vajzash”, për të treguar se cili është më i forti.
Më pas, vjen sqarimi ballë për ballë, grumbullime të rinjsh prej 10 vetash dhe përfundimi është një vrasje, plagosje me thikë ose me sende të forta.
LEXO EDHE;
- Dhuna në Tik Tok/ Kërkohet bllokimi i aplikacionit kur fajtorë janë (edhe) prindërit…
- ‘Pse ma more topin?’. Përleshje mes të miturve në shkollë, njëri prej tyre e qëlloi shokun me mjet prerës
Rasti i fundit i 14-vjeçarit Martin Cani pak metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, është një kambanë alarmi për shoqërinë, pasi nxënësit e shkollave po kthehen në agresivë për arsye të ndryshme.
Deri tani policia nuk e ka ende të qartë motivin e krimit. Por nga veprimet paraprake ka dyshime që adoleshentët të jenë konfliktuar disa ditë më parë që në rrjetet sociale.
Në polici janë shoqëruar disa nxënës, të cilët ishin dëshmitarë të këtij konflikti që përfundoi tragjikisht me një vrarë e dy të plagosur.
Sherri që nuk kishte lidhje me 20-vjeçarin në Fier
Në mars 2024, një konflikt i nisur pikërisht në rrjetet sociale mes disa adoleshentëve degradoi në përdorimin e thikës.
Grei Bihuci, 19-vjeç humbi jetën në spital për shkak të plagëve të shumta. Ai u godit me thikë në qendër të Fierit nga 18-vjeçari Florjan Muka, i cili u arrestua nga policia së bashku me kushëririn e tij, Klajdi Muka. Grei Bihuci ishte nxënës i shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” dhe studionte për informatikë.
Ndërsa pasditeve, punonte kamerier në një bar-pastiçeri në Bulevardin “Jakov Xoxa”, pranë vendit ku ndodhi krimi.
Konflikti mes të rinjve që përfundoi me vrasjen e Greit, e kishte zanafillën 3 muaj para ngjarjes mes disa bashkëmoshtarëve të tjerë për një thikë të ptkthyer dhe i vetmi person që nuk kishte asnjë lidhje, ishte vetë viktima fatkeqe. Shoku i viktimës Olti Serjanaj 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar, mbeti i plagosur.
Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh
Në maj të vitit 2023, të rinjtë Xh. Ç., 15 vjeç, O. Ç, 14 vjeç, E. K., 15 vjeç dhe S. M., 16 vjeç u arrestuan për vrasjen e 15-vjeçarit Fatjon Bici Fatjon Bici, i cili u godit me thikë në zemër dhe plagosën kushëririn e tij me inicialet M. L.
Pasi doli nga mësimi, viktima pa në një rrugicë kushëririn e tij 15-vjeçar Marko Bici që po konfliktohej me 4 bashkëmoshatarë dhe ndërhyri për ta mbrojtur.
Por goditjet me thikë i morën jetën adoleshentit, ndërsa kushëriri i tij mbeti i plagosur.
4 të rinjtë, pas arrestimit nga policia ditën e ngjarjes, në prani edhe të psikologut, rrëfyen se sherri me Marko Bicin kishte nisur rreth 2 muaj më parë në një kënd lojërash dhe më pas ishte përshkallëzuar në rrjetet sociale.
Plagosjet me thika në shkolla
Në 16 maj 2023, një sherr mes dy nxënësve ka ndodhur në shkollën “Ahmet Zogu” në Kamëz, ku si pasojë mbeti i plagosur me mjet prerës një 15-vjeçar.
Policia njoftoi se 18-vjeçari K.GJ., goditi me mjet prerës një 15-vjeçar, i cili si pasojë është dëmtuar lehtë në krah.
Në 30 tetor 2024, një plagosje me thikë u shënua në oborrin e gjimnazit "Shote Galica" në Fushë Krujë. Rreth orës 10:45, ka pasur një sherr mes dy nxënësve të kësaj shkolle, ku gjatë konfliktit, Klisman D., 18 vjeç u godit me thikë nga 17 vjeçari nxënës po i kësaj shkolle.
Policia tha se nuk dihen ende rrethanat dhe shkaqet, ndërkohë i plagosuri u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi kishte plagë të thella dhe hemorragji.
Klisman D. është qëlluar një herë në qafë. Ai u paraqit në ambulancën e Fushë Krujës me këmbët e veta, me thikën të pa hequr dhe menjëherë u dërgua në Spitalin e Traumës, ku i mbijetoi sulmit.
Në shtator 2016, një nxënës 15 vjeç i shkollës ‘Çajupi”, ka mbetur i plagosur rëndë me thikë pas një konflikti me moshatarët.
Ngjarja është shënuar në mesditë, jashtë territorit të shkollës, ku mësohet se nxënësi me inicialet K.S., ka zhvilluar një debat që ka degjeneruar në sherr fizik me disa moshatarë.
Duket se njëri prej tyre ka pasur me vete armë të ftohtë, pasi adoleshenti është dërguar në spital me një plagë thike në trup.
Me thikë në çantën e librave
Nga ana tjetër, fenomeni i mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla, konsumimit të hashashit dhe cigareve, tashmë është i zakonshëm.
Gjatë një kontrolli policor të zhvilluar në një shkollë në Sarandë në prill 2022, është gjetur një thikë, të cilën një nxënës 17 vjeç e mbante në çantën e librave.
Ndërkohë që të tjerëve u janë gjetur edhe paketa me cigare këtë klasë, të palejueshme që të konsumohen nga të miturit.
Nxënësi që kishte thikën me vete, u shoqëruar në ambientet e policisë, së bashku me psikologun, drejtorin e shkollës dhe prindërit e tij u hetuan në gjendje të lirë.
Në sherr përfshihen edhe vajzat
Por në konflikte në ambientet e shkollave, nuk mungojnë as vajzat. Në nëntor të vitit 2023, qarkulloi një video në rrjetet sociale, ku një grup vajzash adoleshente u konfliktuan frizikisht në ambientet e një gjimnazi në Tiranë.
Videoja tregon një përleshje mes tyre në oborrin e shkollës dhe pak sekonda më pas shihet një nga grua që hyn t’i ndajë.
Në pamje shihet se njëra prej adoleshenteve ka akuzuar tjetrën se pse i ka parë të dashurin. Episodi nuk u raportua në media nga ana e policisë. E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.