Drejtësia

Vrasja e Pëllumb Metës nga 3 fëmijët, prokuroria heton edhe pistën e konfliktit për pasurinë

Gazeta Si- Një nga pistat e hetimit për të cilën po heton Prokuroria e Durrësit në lidhje me zbardhjen e vrasjes se 50-vjeçarit Pëllumb Meta, është edhe ajo e konflikteve familjare mbi pasurinë.

Sipas burimeve, bëhet fjalë konkretisht për një hapësirë rreth 12 dynym tokë që ishte në pronësi të familjes Meta.

Prokuroria i ka kërkuar zyrtarisht Kadastrës Shtetërore informacion por ende Kadastra nuk u ka kthyere përgjigje.

Nga hetimet ka rezultuar se për pos konflikteve te tjera, në familjen Meta ka pasur diskutime të forta mes anëtarëve të familjes dhe kryefamiljarit, pasi bashkëshortja e tij dhe fëmijët kanë propozuar që ta shisnin tokën e cila në treg vlen disa qindra mijëra euro.

Por dyshohet se kryefamiljari nuk ka dashur që ta shesë tokën. Prokuroria mendon se vrasja dhe asgjësimi i kufomës së kryefamiljarit do t’u jepte mundësi familjarëve të tjerë të përfshirë në ngjarje të kishin akses në mungesë të tij për ta shitur tokën.

Megjithatë, grupi hetimit nuk i përjashton pistat e tjera po kësaj piste po i jep me tepër përparësi.

Po ashtu, Prokuroria e Durrësit do të bëjë eksperimente hetimore për të përcaktuar se cili nga fëmijët Hygerta apo Hysen Meta qëlloi me 4 plumba në drejtim të babit të tyre Pëllumb Meta.

Ky vendim është marrë për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.

Policia kriminale në Durrës është duke kryer eksperimente hetimore edhe në banesën e familjes Meta për të përcaktuar këndin e qitjes dhe mënyrën si kanë vepruar fëmijët.

Hygerta Meta do të dërgohet nga hetuesit në poligon, do t’i jepet një pistoletë TT, e njëjtë me atë që u përdorë në vrasjen e Pëllumb Metës.

Eksperimenti tjetër ka të bëj me mënyrën si u hap gropa ku u gjet i varrosur kryefamiljari Meta dhe kohën që mund të duhet për të hapur një gropë të atyre përmasave.

Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Hysen, Hygerta dhe Amarildo Metën.

Ky i fundit akuzohet vetëm për fshehje të kufomës. Ndërsa 25-vjeçari dhe 19-vjeçarja akuzohen edhe për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë