Ka ndodhur

Vrasja e nënkomisarit, ministri Çuçi: Saimir Hoxha do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”

Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi, ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Lezhë, ku humbi jetën nënkomisari Saimir Hoxha.

Çuçi në fjalën e tij u shpreh se Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, “Dëshmor i Atdheut” duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm.

“Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.

Përfitoj nga kjo dalje publike, t’u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit, miqve dhe kolegëve të tij.

Komisioni Qendror i Statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, ‘Dëshmor i Atdheut’ duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm. Po kështu me këtë rast, inkurajoj fort gjithë trupën e Policisë së Shtetit dhe i shpreh mbështetjen time të pakufishme, dhe në emër të qeverisë shqiptare, për të vijuar me vendosmëri betejën e përditshme me krimin, i çfarëdolloj qoftë ai”, u shpreh Çuçi.

Ndër të tjera, ministri Çuçi thekson se “ngjarje si kjo e sotmja, vërtet krijojnë dhimbje dhe indinjatë në zemrën e çdo shqiptari, por kurrsesi nuk na zmbrapsin apo dekurajojnë në luftën kundër paligjshmërisë. As mua si Ministër i Brendshëm dhe as trupën e Policisë së Shtetit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë