Komunitet

Vrasja e Marvit, dëshmojnë prindërit: Si na e masakruan djalin

Në seancën gjyqësore të radhës për vrasjen e Marvi Mihalit, ngjarje e ndodhur në 31 korrik 2017 pranë stadiumit “Dinamo”, kanë dëshmuar sot në Gjykatën e Tiranës prindërit e të riut.

Në gjendje të vështirë emocionale, ata kanë zbuluar fakte tronditëse nga vrasja e Marvit për një karikues, teksa kanë kërkuar drejtësi, në të kundërt kanë paralajmëruar se do të bëjnë vetëgjyqësi.

Në gjyq, babai i 22-vjeçari, Pavllo Mihali ka thënë se vrasësit e të birit janë kontingjent krimi dhe ka prova që tregojnë se kush e vrau djalin e tij.

“Kam fakte që vrasësit e djalit tim janë kontigjent kriminal. Ditën e ngjarjes kam qenë në Sarandë dhe jam njoftuar nga kunati im. Kam parë me qindra dhe mijëra herë videon e vrasjes së djalit tim. Personi që e qëlloi është Dejvi Bitraj. Ai e ka qëlluar, pasi Eugen Bitraj e ka goditur nga pas dhe rrëzuar në tokë. Dënimi duhet të jetë maksimal”, tha Pavllo Mihali në gjykatë.

Ndërkohë nëna e Marvi Mihalit tha se beson te drejtësia dhe se do luftonte deri në fund, por nëse nuk dënohen siç e meritojnë vrasësit, ajo tha se do bëjnë vetëgjyqësi.
“Dua të sqaroj se nuk do të ketë kurrë gjyq për dëmshpërblim. Nuk ka vlerë që më zëvendëson djalin. Në ngjarje Marvi ka hyrë vetëm për të ndarë dy persona. Ata ishin përgatitur për të vrarë. Do vrisnin këdo që do u dilte para. Kam besim tek drejtësia dhe sa të kem jetë do luftoj. Askush nuk mund të dalë i palagur nga kjo histori”, tha nëna e Marvit.

Fatmira Mihali ka thënë se djali i saj u godit dhe u tërhoq zvarrë nga Eugen Bitraj, edhe pasi u qëllua me thikë nga kushëriri i tij, Dejvi. Sipas saj, 22-vjeçari është rrahur deri sa ka dhënë shpirt nga katër të pandehurit. Ajo bëri apel që të katërt të akuzuarit të dënohen për vrasje me paramendim.

Të pandehur për vrasjen e rëndë, janë kushërinjtë Dejvis dhe Eugen Bitraj, por edhe vëllezërit Kridens e Marsel Alla, të cilët konfliktin e kanë pasur me Armend Haxhiun, mikun e Marvi Mihalit, por që viktimë mbeti 22-vjeçari.

Nga hetimet ka rezultuar se Marvi Mihali mbeti viktimë për një karikues, që shoku i tij ia kishte blerë të pandehurve, por pa i dhënë paratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë