Kosova

Vrasja e Liridona Ademaj, Prokuroria e Prishtinës kërkon burgim të përjetshëm për Murselin

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj.

Kjo kërkesë sot u paraqit nga prokurorja, Javorka Perlinçeviç gjatë paraqitjes së fjalës përfundimtare.

“Prokuroria i propozon gjykatës që të sjellë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtor, duke i dënuar me burgim të përjetshëm”, tha prokurorja.

Në seancë fjalën përfundimtare e ka mbajtur Leonardi, vëllai i së ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë.

Leonard Ademaj tha se familja ka zgjedhur besimin në drejtësi në vend të zhgënjimit, prandaj presin që gjykata të vendosë drejt. Megjithatë, sipas tij është e qartë se autori i krimit është Murseli.

“Ne si familje një gjë e kemi të qartë, që Naimi e ka organizuar këtë vrasje së bashku me Kushtrimin dhe e kanë zgjedhur Granitin si vrasës. Nga këtu, duhet të japim mesazhe të qarta, për të gjithë ata kriminelë që guxojnë të ngrenë duart mbi nënat e motrat tona. Duhet ta dimë të gjithë që këtë proces në të ardhmen do ta shohin edhe fëmijët e Liridonës, do të rriten me mallin për nënën e tyre e në të njëjtën kohë do të kërkojnë drejtësi për të. Kur ta shohin këtë proces, do ta kuptojnë që nuk kanë nevojë të brengosen sepse drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend”, tha ai.

Më tej, shtoi se e vetmja mënyrë që familja të gjejë disi lehtësim, është kalbja në burg e tre të pandehurve.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, si pasojë e problemeve familjare dhe martesore.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani fillimisht i është shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai ka refuzuar që të gjejë një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla e ka gjetur Plavën e të cilin e ka njohur me Naimin.

Sipas aktakuzës, Murseli ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen. Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.

Në dëshminë e tij, Murseli ka mohuar akuzat duke thënë se nuk e ka organizuar ai vrasjen e Liridonës dhe as nuk ka marrë pjesë në këtë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë