Kosova

Vrasja e Faton Hajrizit / Bislimi: Ai është kriminel për ne por i kushtojmë zero rëndësi propagandës së Daçiç

Nga Gazeta ‘Si’-Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi deklaroi se i kushtojnë zero rëndësi propagandës që sipas tij po mundohet ta bëjë ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, me rastin e Faton Hajrizit, i cili dyshohet për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të enjten.

Ai tha se vendet mike e dinë qartë se çfarë narrative po do të ndërtojë Serbia.

“Ne i kushtojmë zero rëndësi propagandës së Daçiç. Vendet anëtare, vendet mike e kanë të qartë dhe e dinë shumë mirë se cila është narrativa që po don me kriju Serbia: ‘Ne kemi kriminelë, ne jemi strehë e kriminelëve por edhe Kosova nuk është më mirë’. Ata po mendojnë që e pastrojnë veten duke e njollosur Kosovën”, ka thënë Bislimi.

Ai u shpreh se Faton Hajrizi për Kosovën është një person i dënuar për vepra penale.

Sipas tij, Kosova e konsideron kriminel Hajrizin, ndërsa Serbia e sheh hero Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Bislimi ka thënë se Serbia po mundohet të manipulojë me vetëm një pasaportë të gjetur.

“Ne nuk kemi konstatime. I gjithë konstatimi, e gjithë historia me të cilën po manipulojnë tani më shumë se 24 orë është një pasaportë e gjetur. Dhe mbi një pasaportë është ndërtuar një roman. Pjesa tjetër përtej pasaportës është produkt i makinerisë propaganduese të Beogradit. Mendoj se duhet të shihet si e tillë”.

Faton Hajrizi u vra të premten nga policia serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë