Drejtësia

Vrasja e Artan Cukut, rrëzohet pretendimi i familjarëve për dëmshpërblim

Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën për dëmshpërblim të familjarëve të ish-komisarit Artan Cuku, i vrarë në 8 prill të vitit 2017 në hyrje të shtëpisë pranë Liqenit Artificial.

Familjarët i kërkuan ministrisë së Brendshme dëmshpërblim në shumën e 1 milionë eurove për vdekjen e ish-drejtuesit të policisë, i cili ishte kërcënuar dhe më parë.

Në padinë e dorëzuar në gjykatë për dëmshpërblim monetar dhe moral, familja thotë se i është shkaktuar një dëm i konsiderueshëm pasuror dhe jo pasuror nga vrasja e të afërmit të tyre.

Madje, në padi, familja akuzon se Cuku u largua në mënyrë të paligjshme nga puna, nuk u rikthye dhe nuk u mbrojt, madje s’iu la as arma në zotërim.

Gjithashtu, familja akuzon se është e qartë që vdekja ka ardhur midis të tjerash për shkak të heqjes së tij të paligjshme nga puna.

Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së tij ishte hakmarrja për shkak të detyrës në kohën kur Cuku ka qenë drejtues në Vlorë.

Deri tani i vetmi i arrestuar për vrasjen është Mikel Shallari, ekzekutori i dënuar me 10 vite burg, ndërkohë Bledar Jambelli për të cilin prokuroria ngriti akuzën si porositës, u arrestua në dhjetor të vitit 2018 në Greqi, por më pas u la i lirë nga gjykata greke.

Sipas prokurorisë Jambelli urdhëroi vrasjen e kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës.

Mikel Shallari ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe rrëfeu emrin e porositësit. Para pak muajsh, Artan Cuku u shpall “Dëshmor i Atdheut” me një vendim të qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë