Gazeta Si - Ruben Saraiva, i akuzuar si personi që ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulaj më 19 prill në Lezhë, mbërriti këtë të diel në Shqipëri i ekstraduar nga Maroku.
Operacioni për vënien përpara drejtësisë së vrasësit portugez u finalizua sot, pasi në Marok kishin udhëtuar disa ditë më parë një grup përfaqësuesish nga Policia e Shtetit. Vendimi për ekstradimin e vrasësit me pagesë u dha nga Gjykata e Marokut rreth 10 ditë më parë.
Për të përmbyllur ekstradimin e Ruben Saraivës, ndërhyri Interpoli, agjencia e cila bashkëpunoi me autoritetet shqiptare për lokalizimin e portugezit në marok rreth 7 muaj më parë.
Nikulaj u ekzekutua në prill të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend.
Po për vrasjen e Nikulajt janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia i dyshuar si porositës.
Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.
Edhe për britanikët autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në shqipëri.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër në qytetin e Lezhës, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.