Rend dhe Ligj

Vrasja e Ardian Nikulajt në Lezhë, portugezi Ruben Saraiva merret në pyetje nga Krimet e Rënda

Gazeta Si - Portugezi Ruben Saraiva, i dyshuar si vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, është shoqëruar në Komisariatin e Lezhës, ku po merret në pyetje nga Krimet e Rënda rreth dy javë pas ekstradimit të tij në Shqipëri.

Në seancën e njohjes me masën e sigurisë, Saraiva, kishte mohuar përfshirjen e tij në vrasjen e 19 prillit 2023.

28-vjeçari i tha gjyqtarit të hetimit paraprak se në Shqipëri kishte ardhur me pushime dhe akuzat ndaj tij i kishte mësuar nëpërmjet medias.

Por prokuroria thotë se ka prova që Saraiva është ekzekutori i Nikulajt brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës.

Hetuesit besojnë se ai bashkë me 4 shtetas të tjerë britanikë, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, janë porositur nga shqiptari Edmond Haxhia, të gjithë në proces ekstradrimi në Angli, për kryerjen e vrasjes. 

Sipas policisë, familja e Haxhisë është prej vitesh është në hasmëri me fisin e viktimës Ardian Nikulaj dhe konflikti ka prodhuar shumë të vrarë.

Saraiva prej 31 dhjetorit të vitit 2023, iu dorëzua drejtësisë shqiptare nga Maroku ku u arrestua disa javë pasi ishte shpallur në kërkim nga INterpoli.

Ai u transportua nga paraburgimi 313 në Tiranë drejt Gjykatës së Lezhës me forca të shtuara policie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë