Ngjarje

Akuzohet se vrau Nikulajn, burg për portugezin Ruben Saraiva: Nuk kam lidhje. Erdha për pushime

Nga Gazeta 'Si' - Gjykata e Lezhës i ka komunikuar masën e sigurisë “arrest në burg” Ruben Saraivës, portugezit të akuzuar si vrasës i biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në Shëngjin më 19 Prill 2023.

Saraiva u shoqërua në gjykatë nën masa të forta sigurie nga policia. Ndaj 28-vjeçarit ishte caktuar “arrest në burg” në mungesë, masë kjo që iu komunikua sot (2 Janar 2024) nga Gjykata e Lezhës. Ai akuzohet për vrasje për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.

Para trupës gjykuese, Ruben Saraiva deklaroi se nuk ka lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt, ndërsa në Shqipëri kishte ardhur për pushime.

Këto pohime të tij brenda gjykatës u bënë të ditura nga avokati i tij në përfundim të seancës.

“Reagimi ishte që unë nuk kam asnjë lidhje me atë ngjarje për të cilën po akuzohem, kam marrë dijeni nëpërmjet mediave, jam arrestuar në Marok ku isha për punë të tjera. Nuk kam asnjë njohje, tha, as me atë as me ndonjë shqiptar. Në Shqipëri tha që kishte qenë për pushime”, deklaroi për gazetarët Elton Laska, avokati i Saraivës.

Ruben Saraiva u arrestua në Marok më 8 Maj për llogari të autoriteteve shqiptare dhe u ekstradua në vendin tonë më 31 Dhjetor 2023.

Për vrasjen e Ardian Nikualjt në Britaninë e Madhe janë arrestuar edhe pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi për në Shqipëri.

Pista kryesore e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj është ajo e hakmarrjes mes fisit Nikulaj dhe Lekstakaj e nisur shumë vite më parë. Sipas hetuesve, organizator i atentatit ka qenë Edmond Haxhia; Ruben Saraiva në rolin e ekzekutorit ndërsa të tjerët në rolin e ndihmësit.

Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë