Ngjarje

Vrasja e 19-vjeçarit në Shkodër, telefonata e të atit dhe pista e hetimit

Gazeta Si - Vrasja e 19-vjeçarit Erjon Xhenje mbrëmjen e të dielës në Shkodër ka qenë e mirëorganizuar, ku të paktën kanë marrë pjesë dy persona.

Pesë plumba kanë prekur pjesë të ndryshme të trupit të Xhenjes, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme bëjnë të ditur burime nga grupi hetimor.

Mësohet se pak përpara se të ndodhte atentati, babai i 19-vjeçarit e kishte telefonuar djalin e tij, duke i kërkuar që ta shoqëronte deri në Mal të Zi për të furnizuar mjetin me karburant.

Por i riu e kishte refuzuar duke i thënë se ishte në lokal dhe po pinte kafe. Pak pas vrasjes, i ati u informua dhe shkoi në vendin e ngjarjes, ku u pa edhe duke shpërthyer në lot për të birin.

Dyshimet se ngjarja mund të ketë ardhur për shkak të aktivitetit të kushërinjve të tij, përforcohen edhe nga deklaratat e babait të viktimës.

“Kam prej 1 jave që kërkoj shtëpi me qira. T'i largoj nga këtu. Nuk është problemi jonë, por i nipave. Unë s’kam punë, skam lidhje me asgjë, nuk di asgjë”,- deklaroi i ati.

Sipas burimeve policore, hasmëritë mes grupeve dhe përplasja e bandave është pista kryesore, ku janë përqendruar hetimet për vrasjen e 19-vjeçarit.

Nga sa mësohet 19-vjeçari ka qenë shok me Asmer Bilalin, ndërsa ne raste të ndryshme ka kryer edhe mirëmbajtjen e stallave dhe kuajve të këtij të fundit. Policia po heton edhe në lidhje me vrasjen e Ismet Çekorja e ndodhur në lagjen Kiras dhe lidhjet që viktima mund të ketë pasur me vrasjen.

Ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kjo vrasje është në vazhdën e zhinxhirit të vrasjeve mes grupeve kriminale në Shkodër. 

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa janë sekuestruar kamerat e zonës ku ndodhi atentati, me qëllim vëzhgimin e tyre nëse mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

Sakaq, janë marrë në pyetje edhe persona në lidhje me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë shenjë nga autorët.

Erjon Xhenje është i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021.

Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç.

Viktima nuk rezulton person me precedentë penal. Si ai ashtu edhe familja e tij nuk kishte konflikte me asnjë person. Ata jetonin në lagjen “Guerrile” dhe ishin një familje e qetë.

I riu ka qenë në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” pranë lagjes Kiras kur autori është afruar me një motoçikletë dhe ka shtënë drejt tij, e më pas është larguar në drejtim të paditur përmes rrugëve dytësore. Pak pas ngjarjes në lagjen “Guerrile” u gjet një motoçikletë e djegur dhe një pistoletë që policia dyshon të jetë përdorur në ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë