Ngjarje

Vrasja ‘aksidentale’ me grushte në Vlorë, dinamika dhe hetimet për rolin e sekserit të pronave, djalin e anëtares së KLP. Dalin pamjet (Video)

Gazeta Si – Rei Meta, autori i vrasjes me grushte të Armando Meshaut në Vlorë një ditë më parë, ka pohuar në polici se ngjarja ka qenë e gjitha aksidentale.

Në dëshminë e tij, mësohet se Meta ka thënë që nuk ka pasur qëllim ta vrasë 55-vjeçarin, ndërsa 10 persona janë shoqëruar në polici, pasi besohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Ndërkohë, një nga pistat e hetimit, është se djali i anëtares së KLP-së, Nurihan Meta, dyshohet se është sekser pronash dhe sherri mund të jetë përshkallëzuar për premtimin e pambajtur të një apartamenti mes palëve.

Ngjarja

Viktima kishte dalë nga një zyrë noterie afër Gjykatës së Vlorës dhe ka hyrë brenda një qendre interneti për të printuar disa dokumente.

Aty ka shkuar edhe punonjësi i Doganave, Rei Meta, i cili fillimisht ka replikuar me viktimën për konflikin që kishin për një pronë dhe më pas e ka goditur me dy grushte që kanë rezultuar fatale për 55-vjeçarin.

I riu e ka qëlluar me një grusht në fytyrë dhe një në pjesën e pasme të kokës Armando Meshaun, i cili ka rënë në tokë dhe autori më pas është larguar nga vendngjarja.

Sipas burimeve të policisë, Meta ka thënë se nuk ka pasur motiv për ta vrarë, teksa në qendrën e internetit janë takuar rastësisht, sipas tij, pasi të dy do të printonin disa dokumente.

Alibia

Para oficerit gjyqësor, Meta ka thnë se Armando Meshau e ka sharë i pari dhe e ka goditur kur konflikti është përshkallëzuar.

I riu gjithashtu ka treguar se e ka goditur për vetëmbrojtje, teksa pretendon se 55-vjeçari e ka humbur jetën nga përplasja me tokën, ose ndonjë orendi të internet kafesë, në momentin kur është rrëzuar përtokë si rrjedhojë e grushteve.

Dyshimet

Nga ana tjetër, burimet e policisë së Vlorës konfirmojnë se Rei Meta ndërhynte shpeshherë si sekser për pronat në Vlorë. Gjithnjë sipas informacioneve, ai premtonte dhe mbante përgjegjësi në emër të së ëmës, Nurihan Meta, e cila është anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Dyshohet se Meta kërkonte që për lejet e pronave që jepeshin, apo zgjidhjen e marrëveshjeve, të mbante një përqindje përfitimi.

Në rastin konkret, dyshohet se është bërë një marrëveshje mes palëve për një pronë, për të cilën pas marrëveshjes, Armando Meshau viktima, ka gjetur dakordësinë me palën e tretë.

Meta pretendonte se viktima duhet t’i jepte një apartament pavarësisht se nuk ishte ai personi që zgjidhi konfliktin.

Hetimet

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë që janë sekuestruar dhe janë në dispozicion të policisë do të japin një version të saktë të ngjarjes.

Rreth 10 persona janë marrë në pyetje përgjatë 24 orëve nga policia e Vlorës në lidhje me ngjarjen e ndodhur në orën 11:45 minuta në lagjen “Hajro Çakërri”.

Personat në fjalë, kanë qenë kryesisht dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes, të cilët kanë parë konfliktin, por edhe familjarë si të viktimës, ashtu dhe të autorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë