Drejtësia

Goditi me grusht për vdekje Armando Meshaun, dënohet me 3 vite burg djali i anëtares së KLP

Gazeta Si - Rei Meta, autori i vrasjes me grusht të Armando Meshaut, është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 3 vite heqje lirie.

Autorit i është pranuar akuza “vrasje nga pakujdesia” sipas nenit 85 , atë që kërkoi prokurori Arjan Xhaferraj, ndërkohë që është dënuar me 3 vite nga gjykatësja Dorina Stroka.

Prokurori kërkoi 3 vjet e 6 muaj dhe gjykatësja e dënoi me 3 vite. Familjarët e Meshaut kanë kërkuar që ndaj tij të ishte vrasje me dashje, por kjo është rrëzuar.

Të pranishëm në sallë ishin avokatët e Rei Metës dhe babai i autorit. Autori nuk ka qenë i pranishëm, pasi sipas avokatëve kishte probleme shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një qendre interneti në lagjen “Hajro Çakërri” në gusht të vitit të shkuar, ku gjithçka nisi me një përplasje fizike mes Rei Metës dhe viktimës Armando Meshau, që më vonë përshkallëzoi deri në vdekjen e inxhininerit.

Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seitu (Meta) u arrestua me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Viktima, 55-vjeçari Meshau, ishte ulur në një prej kompjuterëve të internet kafesë, ndërsa autori i qëndronte afër në këmbë. Fillimisht ata debatuan me fjalë, ndërsa në një moment, Meshau ngrihet dhe godet me grusht të riun Rei Meta.

Ky i fundit reagoi me disa goditje të njëpasnjëshme. Për pasojë Meshau ra sërish në karrige dhe iu përplas koka në një nga tavolinat. Kjo ishte fatale për të.

Konflikti që i mori jetën Meshaut dyshohet të ketë prapavijë mosmarrëveshjet për pronësinë e një apartamenti të një pallati që viktima kishte ndërtuar.

Ky është pohuar dhe nga vetë autori, i cili ka deklaruar ndër të tjera se nuk ka pasur qëllim për ta vrarë 55-vjeçarin dhe se vdekja e tij ka qenë aksidentale.

Në rastin që solli konfliktin, Armando Meshau viktima, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordsinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë