Lajme

Vrasësi i komisarit Artan Cuku mund t’i shpëtojë burgimit përjetë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Mikel Shallarin, vrasësin e komisarit të policisë Artan Cuku dhe e ka dërguar në gjykatë dosjen penale.

Mikel Shallari i dyshuar si autor i krimit, akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta” në bashkëpunim, dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Këto dy vepra penale sipas prokurorisë, Shallari i ka kryer në bashkëpunim me porositësin e vrasjes shtetasin Bledar Jambelli dhe ndërmjetësin Kristaq Leci, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po hetohen në një dosje të veçuar tek Krimet e Rënda.

24 vjecari Mikel Shallari pritet t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm pasi ai ka bashkëpunuar me Prokurorinë duke pranuar autorësinë e krimit dhe duke treguar ndërmjetësin dhe porositësin e vrasjes së Cukut.  

Bashkë me dosjen penale ku ka renditur provat e akuzës, prokuroria ka dorëzuar në gjykatë edhe aktin e marrëveshjes me të pandehurin Mikel Shallari.

Nëse gjykata i konsideron të vlefshme procedurat e ndjekura nga Prokuroria dhe deklarimet e dhëna nga i arrestuari, 24-vjeçari Mikel Shallari mund ta marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë duke përfituar edhe ulje dënimi.

Mikel Shallari u identifikua nga kamerat e sigurisë dhe rrobat e përdorura në atentat të cilat i hodhi në një kosh mbeturinash në zonën e Tiranës së Re.

Komisari Artan Cuku, ish drejtues policie, sipas prokurorisë, u vra për shkak të detyrës së tij në Policinë e Vlorës. Në vitin 2012, ai ka drejtuar një operacion ku ka arrestuar Bledar Jambellin, si person të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës. Në vitin 2014 Bledar Jambelli rifitoi lirinë nga gjykata e Apelit të Vlorës me argumentin se ekspertiza e gjurmëve të gishtave në makinën e përdorur gjatë vrasjes në qytetin jugor ishte e parregullt.

Komisari i policisë Artan Cuku u vra në atentat më 8 prill 2017 në hyrjen e  pallatit ku banonte në kryeqytet.

 

Më Shumë