Moti

Vranësira dhe shira lokalë, të dielën rriten temperaturat

Territori shqiptar paraqitet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike, ku moti i kthjellët dhe vranësirat e lehta do të jenë dominante gjatë gjithë paradites ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira të shpeshta nëpër të gjithë territorin e vendit, ku më të theksuara do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore duke rrezikuar shira të dobët dhe lokalë. Gjatë natës pritet përmirësim i theksuar i kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të rriten si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 4°C temperatura më e ulët në Pukë deri në 21°C vlera maksimale e cila do të shënohet në Tiranë dhe Elbasan. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det duke arritur shpejtësinë 35 km/h nga drejtimi Jugor, duke gjeneruar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 2 – 3 ballë.

Ndërsa fundjava do të sjellë përmirësim të dukshëm të kushteve të motit. E shtuna pritet të sjellë kthjellime dhe vranësira ndërsa reshjet do të prekin zonat verilindore dhe juglindore. Të dielën do të ketë diell në të gjithë territorin. Edhe temperaturat do të rriten ndjeshëm, duke kulmuar të dielën me deri në 27 gradë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë