Moti

Vranësira dhe reshje shiu, në fundjavë përmirësohet moti

Si pasojë e qarkullimit të masave ajrore me origjinë Jugperëndimore, territori shqiptar do të jetë në ndikimin e motit të lagësht dhe të ngrohtë. Për pasojë vranësirat dhe rrebeshet e shiut do të mbizotërojnë në të gjithë territorin e vendit.

Më të dendura shirat do të jenë në zonat Jugore dhe Juglindore të Shqipërisë. Parashikohet që pas mesditës të ketë dobësim të intensitetit të shirave në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar ekstremin Juglindor, ku shirat do të mbeten prezent deri në orët e vona të mbrëmjes.

Problematike gjithashtu paraqiten stuhitë e forta të erës në të gjithë territorin e vendit. Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat minimale por do të ulën ndjeshëm në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 3°C deri në 20 °C vlera më e lartë në rang territori.

Era do fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi mbi 65 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim deri në 6 ballë.

Ndërkohë, dita e shtunë do të vijojë nën ndikimin e vranësirave të shpeshta, të cilat herë pas here do të krijojnë mundësi për momente të pakta me pika shiu, kryesisht në zonat veriore dhe pjesërisht në ato qendrore.

Zonat jugore do të jenë në mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta, të cilat gjatë pasdites do të sjellin momente të pakta me pika shiu. E diela sjell përmirësim të dukshëm të kushteve të motit, duke bërë që të kemi intervale të gjata me kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash.

Temperaturat e ajrit gjatë fundjavës do të kenë rënie me 1 gradë, duke bërë që minimumet në qytetet e zonave malore të regjistrohen në 2 gradë ndërsa maksimumet jo më shumë se 19 gradë. Të dielën do të kemi rritje të temperaturave të ajrit në orët e mesditës, duke bërë që maksimumet të jenë në vlerën 20 gradë përgjatë vijës bregdetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë