Kosova

Vota për Albin Kurtin e pavlefshme në 14 shkurt, por lideri i VV kërkon që ta votojnë

Albin Kurti ka vënë një nga bastet më të rrezikshme të karrierës së tij politike mbi zgjedhjet e 14 shkurtit. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur që ish-kryeministri nuk mund të kandidojë për deputet, për shkak të dënimit, Kurti e ka vendosur emrin e tij në krye të listës së Vetëvendosjes, pavarësisht se vota për të mund të rezultojë e pavlefshme. Me nisjen e fushatës zgjedhore të mërkurën, Kurti ka hapur një debat të madh politik duke i nxitur qytetarët të votonin për të, pavarësisht se votat për kandidatët e pa certifikuar nuk do të jenë të vlefshme.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pranuar ta heqë emrin nga lista, duke rrezikuar dhjetëra mijëra votat e mbështetësve të tij. Kurti ka vazhduar të ftojë qytetarët ta votojnë, duke thënë se kjo është e drejtë e votuesve dhe se kjo nuk e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje.

I pyetur a mund të shpallen të pavlefshme votat e qytetarëve që zgjedhin numrin 1 në listë, Kurti premtoi se ato të numëroheshin nga KQZ-ja. Por sipas ekspertëve, kjo mund të mos jetë e vërtetë dhe basti i Kurtit mund të kthehet në një bumerang.

Sipas një sqarimi të Komisionit Qendror Zgjedhor, nëse votohen numrat e kandidatëve që nuk janë certifikuar, vota nuk do të jenë të vlefshme. KQZ thotë se në rezultatin përfundimtar do të llogaritet vetëm vota për partinë dhe kandidatët e certifikuar.

Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet thotë se që Lëvizja Vetëvendosje po synon të arrijë legjitimitetin moral për liderin e saj Albin Kurti, në mënyrë që të ketë përkrahjen popullore për t'u zgjedhur kryeministër i vendit, pasi sipas të gjitha sondazheve VV fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi nga ana tjetër thekson se nga votat e kandidatëve të dënuar do të numërohen, por nuk do të jenë të vlefshme në rezultatet përfundimtare.

“Pra, nëse një parti politik ka të certifikuar katër kandidatë, por ka vënë në fletëvotime emrat e pesë kandidatëve, në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve do të numërohen të gjitha votat, por ato për kandidatët e pa certifikuar nuk do të kalojnë në Formularët e Rezultateve përfundimtare të Partive”, theksoi Elezi.

Por Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se votat do të certifikohen pas votimit pasi janë vota fillimisht për partinë dhe më pas për kandidatët. Ai thotë se në rast votuesit e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt politik dhe më pas në votimin e kandidatëve e shenjojnë numrin "1", kjo nënkupton që kanë dhënë votën për Albin Kurtin. Pavarësisht që në rastin konkret Kurti nuk është i certifikuar, sipas tij, vota për Vetëvendosjen nuk mund të jetë e pavlefshme.

“Ato mund të numërohen dhe ata që kanë interes që ta dinë se sa njerëz e kanë rrethuar emrin e Albin Kurtit, Albulena Haxhiut apo edhe të ndonjë kandidati tjetër të partive tjera. Në fund votat do të rezultojnë të vlefshme sepse janë votat edhe për partit”, theksoi Kurteshi

Por, pse Lëvizja Vetëvendosje insiston që Kurti të marrë vota që mund të mos këne vlerë ligjore?

Demhasaj thotë së Kurti, në pamundësi për siguruar legjitimitetin ligjor për shkak të mos certifikimit të tij nga KQZ-ja, po synon të arrijë legjitimitetin moral.

“Legjitimitet juridik nuk ka. Më tepër kemi të bëjmë me këtë pjesën e legjitimitetit moral para publikut. Kurti synon të bëhet kryeministër edhe pse është kandidat i pa certifikuar. Ai synon që të dalë në publik dhe ta bëjë të qartë se edhe pse nuk ka qenë i certifikuar si kandidat, ka arritur të marrë një numër të madh të votave, të cilat Vetëvendosje do t’i këtë të numëruara me shifra dhe do t’i publikojë, për të legjitimuar në njëfarë mënyre përkrahjen popullore ndaj tij. VV e ka sulmuar shumë kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin pikërisht për çështjen e legjitimitetit”, tha Demhasaj.

Kjo strategji nuk e mohohet as nga Kurteshi. “Asgjë këtu nuk ndryshon. Do të thotë, në aspektin statistikor, numërohen votat për Vetëvendosjen. Në aspektin e legjitimitetit, njerëzit do të shohin se kush ka marrë vota më së shumti”, thotë ai.

Por, a mund ta dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje votat për një kandidat të saj të pa certifikuar nga KQZ-ja?

Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul se votat për një kandidat të pacertifikuar nga KQZ-ja, nuk e dëmtojnë partinë politike të kandidatit, pavarësisht se KQZ ka njoftuar të kundërtën.

“Nuk e dëmton aspak, sepse fillimisht vota jepet për partinë. Pastaj, përmes votës për partinë ndahet kuota se sa deputetë i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje si parti pjesëmarrëse në këto zgjedhje. Atëherë, në listën e Vetëvendosjes hyjnë ata deputet që kanë vota më së shumti, pra, varësisht prej numrit që përcaktohet me formulën e KQZ-së”, u shpreh ai 

Por realiteti mund të jetë ndryshe. Në zgjedhjet e vitit të kaluar Albin Kurti ka thyer të gjitha rekordet me numrin e madh të votave të marrë ndonjëhetë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Ai ka marrë plot 185 mijë vota nga qytetarët, numër që nuk është arritur asnjëherë nga asnjë politikan kosovar sipas mediave në Kosovë, edhe pse kandidonte përballë Osmanit, e cila po ashtu theu rekordin duke u radhitur në vend të dytë. Por tani që dy ish-kundërshtarët kanë bashkuar forcat, mbështetja do të jetë edhe më e madhe, por ndryshe nga zgjedhjet e tetorit do të jetë e pavlefshme vota për Kurtin.

Duke vendosur këtë bast, Kurti është duke rrezikuar kështu fitoren e partisë së tij. Ai mund të fitojë legjimitetin popullor, por në fund të ditës, ato që do të përcaktojnë fituesin do të jenë votat e ligjshme...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë