Lojëra me Dore

Volejbolli i bllokuar, reagon federata: Paaftësi e Ministrisë

Ndryshe nga futbolli, që ka përplasje me qeverinë dhe ka bojkotuar aktivitetin kombëtar, volejbolli dhe basketbolli mezi presin të zbresin në fushë, por këtë gjë ua ka ndaluar së fundi zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas kësaj të fundit, volejbolli dhe sportet e tjera në salla të mbyllura përbëjnë rrezik infektimi me Covid-19, kështu që nuk mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Në fakt, në rajon dhe gjithë Europën, volejbolli po luhet.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë ka sjellë reagimin e fortë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, të shprehur me anë të një deklarate për shtyp nga bordi ekzekutiv i saj. “Federata Shqiptare e Volejbollit shpreh indinjatën për vendimin e datës 19 tetor 2020, që refuzon rifillimin e sportit tonë. Pas shumë kërkesave nga FSHV-ja dhe në momentin kur mendonim se do t'i riktheheshim fushës, vjen përgjigja më e pakuptimtë e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila vazhdon të ndalojë aktivitete në mjedise të mbyllura të kampionateve kombëtare të volejbollit.

Nga një ndeshje volejbolli femrash. Gazeta "Si", 27 tetor 2020

Janë hapur e funksionojnë palestrat, qendrat tregtare, transporti publik, baret, restorantet, shkollat, kinematë, etj., ndërsa Ministria e Shëndetësisë e konsideron volejbollin sport me rrezikshmëri të lartë në përhapjen e virusit Covid-19! Një gjë e tillë vjen, teksa ekspertët e mjekësisë dhe shëndetit anembanë botës e kanë ulur nivelin e perceptimit të rrezikut për shumicën e sporteve në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti”, - shkruhet në deklaratë.

Më tej, bordi i FSHV-së kalon në detaje konkrete pse volejbolli duhet të nisë aktivitetin. “Duhet theksuar se përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë nuk merr parasysh faktin se volejbolli ka një veçanti, që ekipet janë të ndarë nga njëri-tjetri dhe lojtarët luajnë në një fushë 162 m2, e cila ndodhet në një hapësirë 800 m2 minimumi. Elementet e tjerë të lojës së volejbollit zhvillohen në fraksione të sekondës, gjë që e bën të pamundur transmetimin e Covid-19”, - argumenton Federata e Volejbollit.

Nga asambleja e FSHV-së. Gazeta "Si", 27 tetor 2020

Për FSHF-në, përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë është shabllon, pa një gjykim të thelluar dhe të bazuar në paaftësi. ”Është shqetësuese që Ministria e Shëndetësisë nuk thellohet, pavarësisht informacioneve që i kemi dërguar se si po menaxhohet ky sport në rajon e më gjerë. Kjo nënkupton se Komiteti i Ekspertëve nuk është thelluar fare në këto specifika, duke përcjellë një përgjigje shabllon. Është në kontrast të plotë me atë që në të gjithë Europën po luhet volejboll, duke filluar nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, etj., e për të kulmuar me Italinë, që është edhe epiqendra e Covid-19 në kontinent.

U kemi dërguar autoriteteve përkatëse një protokoll shëndetësor anti-Covid-19 të bazuar në modelet më të mira anembanë Europës, që po përdoret në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, ku rastet janë më të shumta, por volejboll luhet. FSHV e cilëson përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në rastin më të mirë, një vlerësim të bazuar në paaftësi për të gjykuar mbi arsyetim të shëndoshë. Shprehim gatishmërinë të riulemi me ekspertët për të bërë të mundur të luhet ky sport”, - vazhdon deklarata e FSHV-së.

Në fund edhe një apel për MARS-në: “I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit, Rinisë e Sportit të zgjohet nga "gjumi letargjik", si ministria përgjegjëse për mbarëvajtjen e sportit në Shqipëri”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë