Lojëra me Dore

Ministria i refuzon kërkesën volejbollit, sezoni rrezikon të anulohet përfundimisht

Federata Shqiptare e  Volejbollit është e detyruar të mbledhë “rrjetën”, sepse sezoni sportiv 2020-2021 nuk do të nisë dhe rrezikon të anulohet përfundimisht. Përmes një deklarate që Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) u ka nisur klubeve, njofton se pas insistimit të vazhdueshëm pranë organeve kompetente të menaxhimit të pandemise COVID-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) i ka kthyer përgjigje negative për fillimin e kampionatit.

“Aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe volejbollin, konsiderohen aktivitetet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit COVID-19. Kërkesa juaj është shqyrtuar edhe në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, shtimin e rasteve të reja, vendosi se aktualisht nuk është e mundur hapja e aktivitetit sportiv të volejbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për përhapjen e infeksionit Covid-19”, thuhet mes të tjerash në Shkresën që Ministria e Shëndetësisë ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.

Federata njofton se do të vazhdojë të insistojë pranë këtyre organeve, ndërkohë që kudo si Kosova,  Italia, Serbia, Mali i Zi dhe vende te tjera europiane po zhvillojnë aktivitetet e tyre ndërkombëtare në këtë sport.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë