Sociale

Vlorë, shoqëria civile proteston kundër projektit të ri te Sheshi i Flamurit

Gazeta Si - Aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar mesditën e kësaj të diele kundër projektit të Sheshit të Flamurit në Vlorë, pasi sipas tyre humb origjinaliteti i sheshit dhe shkatërrohet kujtesa historike.

Pranë monumentit të pavarësisë janë mbledhur qytetarë të shumtë vlonjatë, të cilët akuzojnë kryeministrin Edi Rama, që jo vetëm nuk prishi godinën disakatëshe të ndërtuar prej vitesh në sheshin historik, por ndërtoi dhe çibanë të tjerë që sipas tyre është terminali i autobusëve. Përveç kësaj, thonë se është larguar nga ky vend një nga simbolet e tij, “4 Topat”.

Qytetarët thonë se asnjëherë nuk janë pyetur apo konsultuar për të gjithë ndryshimin që po i bëhet Sheshit të Flamurit.

Me simbole kombëtare në duar, ata kanë konfirmuar se nuk do të lejojnë që t’u nëpërkëmbet dinjiteti.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama reagoi për këtë protestë, duke akuzuar opozitën se ka organizuar protesta kundër urbanizimit të këtij qytetit.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë u shpreh se ata që i cilësoi si “foltorexhinjtë e Vlorës”, nuk dinë dhe as nuk bëjnë dot gjë tjetër përveç përshesheve me baltë”.

Më tej, ai theksoi se Sheshi i Flamurit do të jetë “një tjetër spektakël urban në Vlorë” dhe se mezi pret që ta shohë të realizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë