Ka ndodhur

Vlorë, 42-vjeçari i maskuar dhe i dehur nuk i ndalon patrullës së policisë

Gazeta Si - Një 42-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e të martës në Vlorë, pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, teksa po lëvizte me një mjet pa targa dhe i maskuar.

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, ku rreth orës 01:50 nga shërbimet e forcave "Shqiponja" u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasit Hasan Hasanaj, banues në Vlorë, lagjia "Partizani".

Policia thotë se ky shtetas lëvizte me automjetin e tij tip "Porsche" ngjyrë blu pa targa dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi në brendësi të lagjes “Isa Boletini”.

Pas ndjekjes për rreth 15 minuta ai u arrestua dhe rezultoi se ishte nën efektin e pijeve alkoolike.

Në momentin e prangosjes ky shtetas tha se ishte konfliktuar në një klub në qytetin e Vlorës dhe për këtë arsye ishte i maskuar dhe madje kishte hequr targat e mjetit.

Ndërkohë, burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se gjatë ndjekjes personi ka rrezikuar jetën e efektivëve të policisë duke tentuar të godasë me automjet.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjet një maskë, 1 mjet prerës thikë dhe targat e automjetit. Gjatë testit të kryer për alkool ai rezultoi të ishte i dehur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë