Futboll

Vllaznia në tapet, Bylisi është kampion i Kategorisë së Parë

Favorite ishte Vllaznia, por finalja e Kategorisë së Parë, e zhvilluar në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit, është fituar nga Bylisi, me rezultatin 1-3. Të dyja skuadrat janë ngjitur në Superiore dhe kjo finale ishte për prestigj dhe për shpërblimin që jep FSHF-ja. Ekipi ballshiot, i drejtuar nga trajner serb Dovedan, ka përmbysur rezultatin në pjesën e dytë me 3 gola, duke e merituar trofeun e kampionit të Kategorisë Parë.

Bylisi feston me trofeun e kampionit

Shkodranët kaluan të parët në avantazh me rumunin Ignat, por kjo ishte vetëm një shkëndijë. Entoni, Bajramaj dhe Ujka zhvlerësuan golin e Vllaznisë në pjesën e dytë dhe pas vërshëllimës përfundimtare të ndërkombëtarit Juxhin Xhaja, festa ka qenë e ligjshme për skuadrën ballshiote. Pati edhe momente tensioni në fund, ku Zefi dhe Gurishta u ndëshkuan me karton të kuq. Për të dorëzuar trofeun e kampionit ka qenë i pranishëm në stadium edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Përveç trofeut, Bylisi fiton edhe shpërblimin prej 30 milionë lekësh nga FSHF-ja për këtë sukses.

Vllaznia tregoi se ka probleme dhe se i duhet të përmirësojë shumë gjëra për rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, për të qenë në nivelin që e kërkojnë tifozët e saj. Trajneri Agim Canaj theksoi pas ndeshjes se kjo humbje ishte një kambanë alarmi për bashkinë e qytetit, që menaxhon skuadrën, për të lëvizur në kohë dhe për të marrë masat e duhura për përfaqësimin në Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë