Futboll

Vllaznia në ‘Play off’, një hap larg grupeve në Ligën e Kampionëve

Gazeta Si – Vllaznia në futboll për femra shkon në ‘Play off’-in e Ligës së Kampionëve. Shkodranet janë tashmë një hap larg fazës në grupe të këtij kompeticioni.

Kampionet e Shqipërisë mundën sot 1-0 në Mal të Zi skuadrën sllovake të Mijavës. Ishte finalja e miniturneut, ku Vllaznia pati fat në short dhe u kualifikua direkt për në finale. Mijava eliminoi në gjysmëfinale ekipin malazez të Breznicës.

Vllaznia feston golin e fitores. Gazeta Si, 21 gusht 2022

Shkodranet e dominuan ndeshjen dhe krijuan shumë raste, por arritën të shënonin vetëm një gol, me anë të Shalës.

Më 1 shtator do të hidhet shorti i ‘Play off’-it dhe Vllaznia do të mësojë emrin e kundërshtarit. Kuptohet, do të jetë e vështirë, sepse bëhet fjalë për skuadra me emër, por vajzat kuqeblu do të luajnë shanset e tyre.

‘Play-off’-i luhet me dy ndeshje, me sistemin vajtje-ardhje. Nëse kualifikohet Vllaznia, për herë të parë nëj ekip shqiptar do të merrte pjesë në grupet e Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë