Futboll

Vllaznia i hap derën djalit të shtëpisë, rikthehet Arsid Kruja

Një shkodran më shumë për Vllazninë. Arsid Kruja, i cili pak sezone më parë shkëlqente me fanellën e kësaj skuadre – për të kaluar më pas në Arabi dhe disa skuadra të njohura vendëse – është kthyer në shtëpi. Pas bisedimeve me administratorin e klubit, Suad Lici, është rënë dakord që për 18 muajt e ardhshëm mesfushori-sulmues të jetë pjesë e Vllaznisë. Një përforcim i rëndësishëm për shkodranët, që udhëheqin Grupin A në Kategorinë e Parë.

“KF Vllaznia” bën të ditur se zyrtarisht pjesë e saj është edhe futbollisti shkodran, Arsid Kruja. Administratori i klubit, Suad Lici, ka arritur akordin me lojtarin, i cili vitin e fundit ka qenë pjesë e Teutës. Marrëveshja është arritur për një kontratë 18-mujore. Arsid Kruja nuk ka humbur kohë dhe menjëherë është vënë në dispozicion të trajnerit Hasan Lika në stërvitje. Mirëserdhe në shtëpi, Arsid Kruja!” – shkruhet në njoftimin zyrtar të klubi shkodran.

Futbollisti 25-vjeçar ra në sy për kualitetin e tij në vitin 2015 dhe më pas u transferua te Hajer në Arabi, por kjo aventurë nuk rezultoi e suksesshme për të. Ai u kthye në Shqipëri për të veshur fanellën e Flamurtarit, Laçit dhe së fundi Teutës, por në asnjë moment nuk mundi të kthehej në nivelin e mëparshëm dhe për rrjedhojë nuk ka pasur hapësirat e nevojshme. Ndoshta fanella e skuadrës mëmë do ta ndihmojë Krujën të rigjejë veten dhe njëkohësisht të ndihmojë Vllazninë për të arritur objektivat që ka.

Kohët e fundit, drejtuesit e Vllaznisë, Engin Firat dhe Suad Lici, i kanë hedhur sytë drejt Afrikës për të gjetur talente dhe për t’i marrë në ekip, sipas një marrëveshje bashkëpunimi me një klub të njohur në Nigeri, por sigurisht që askush më shumë se shkodranët nuk do t’i bënte punë skuadrës më të vjetër në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë