Futboll

Vllaznia e nis me këmbën e mbarë, rrëzon Laçin në shtëpi

Ka nisur mbarë rikthimi i Vllaznisë në Superligën Shqiptare pas një viti të vështirë në purgator. Shkodranët kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme në sfidën e parë me Laçin në “Loro Boriçi” 1-0. “Samba Vllaznia” funksionoi në këtë ndeshje me maqedonasin, Jonuz dhe ka rrëzuar si një kështjellë rërë Laçin që ishte fryrë shumë këtë verë, madje si pretendent për titullin kampion.

Rikthimi në “Loro Boriçi” edhe pse me jo një numër të kënaqshëm tifozësh, për Vllazninë ishte i shpejtë që në minutat e para. Kuqeblutë patën disa raste në minutat e para dhe dukej qartë dëshira për ta zhbllokuar shpejtë ndeshjen. Por mungesa e eksperiencës dhe emocionet nuk i favorizonin kuqeblutë, që gjithsesi do të shkonin në dhomat e zhveshjes me një gol avantazh. Ishte braziliani Hygor që shënoi për vendasit me një super gol, duke ngritur peshë të gjithë tifozët. Për Laçin, pjesa e parë nuk kishte shumë për të thënë, përveçse një ekip që la për të dëshiruar në organizim.

Në pjesën e dytë, loja filloi me një tjetër marsh për Laçin. Kurbinasit që donin barazimin dhe shkodranët në mbrojtje të fitores bën që ndeshja për disa minuta të kishte ritëm goxha të lartë. Skuadra e Starovës i shkoi disa herë pranë golit, por pa mundur dot të jetë konkret. Deri në fund rezultati mbeti i njëjtë, edhe pse rastet nga të dyja portat do të ishin deri në fund. Vllaznia e nis kështu me mënyrën e duhur këtë sezon në Superligë, ku skeptikët ishin të shumtë dhe sërish do duhen ndeshje të tjera për të parë se ku mund të shkojë kjo skuadër. Ndërsa për Laçin duhet të presim akoma, për më tepër që gjatë verës u fol se kjo skuadër mund të guxojë dhe të luftojë për titullin kampion.

Vllaznia: Sherri, Gurishta, Shehi, Malota, Gligorov, Hygor, Krymi, Kruja, Shtubina, Lika, Zogaj Trajner. Mirsad Jonuz

Laçi: Stazhilla, Gjoni, Injatoviç, Domgjoni, Trukaj, Shehu, Zaimi, Lushkja, Deliu, Nuabueze, Xhixha Trajner. Sulejman Starova


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë