Futboll

Vllaznia e femrave për rekord, vjen titulli i 9-të radhazi

Gazeta Si - Titulli kampion në futboll për femra është instaluar në Shkodër që prej sezonit 2013-2014 dhe nuk ka lëvizur që aty. Sot Vllaznia është shpallur kampione e vendit për herë të 9-të radhazi. Një rekord ky që vështirë se mund të thyhet, aq më trepër kur premisat janë që të thellohet.

Vajzat shkodrane mundën sot 12-0 Kinostudion dhe kjo ndeshje e prapambetur bëri që të sigurohej matematikisht titulli i 9-të radhazi.

Vlen të theksohet fakti se 9 nga 12 golat e Vllaznisë në ndeshjen e sotme u shënuan nga Megi Doçi. Tre golat e tjerë mbajnë firmën e Lufos, Zarkës dhe Borcit.

Vllaznia para nje ndeshjeje. Gazeta Si, 12 maj 2022

Diferenca me Apoloninë e vendit të dytë ka shkuar në 8 pikë dhe në dy javët që kanë mbetur nuk mund të rikuperohet. Titulli kampion do të festohet nga shkodranet pas ndeshjes së fundit, që është ajo me Skënderbeun javën e ardhshme.

Vllaznia e ka dominuar futbollin e femrave gjithë këto vite. Titulli i 9-të radhazi është rezultat i forcës së kësaj skuadre jo vetëm në këtë sezon. Presidenti Lazër Matija dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.

Vllaznia ka në gjirin e saj edhe pjesën më të madhe të futbollisteve të Kombëtares shqiptare. Ato kanë pasur një rritje të konsiderueshme profesionale këto vite. Vllaznia është pa dsikutim një superfuqi në futbollin e femrave dhe titulli shpesh duket si një formalitet.

Tani synimi është që kjo skuadër të paraqitet më mirë në Ligën e Kampioneve të femrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë