Gazeta Si – Ka një luftë të fortë për titullin kampion, por edhe për mbijetesë në Superiore. Bylisi, një nga skuadrat e fundit të tabelës, mundi sot 1-0 Vllazninë, duke u larguar disi nga zona e rrezikshme.
Në krye të Bylisit u kthye trajneri Naxhi Shensoi, i cili e ka drejtuar këtë skuadër edhe dy herë më parë. Ai debutoi sot me një fitore të rëndësishme për ballshiotët. Ndeshja me Vllazninë u vendos nga një gol i Souzës në pjesën e dytë.

Shkodranët tentuan me të gjitha mënyrat për të shkuar të paktën te barazimi, por nuk ia arritën qëllimit. Portieri Aldo Teqja ishte i pakalueshëm. Vllaznia humb një shans të mirë për t’u afruar me pikë me Tiranën dhe Partizanin, që kryesojnë tabelën.
Një fitore të rëndësishme arriti sot edhe Laçi, që mundi 4-1 Kastriotin. Kurbinasit, pas këtij trepikëshi, afrohen pak me zonën europiane të renditjes. Java e 18-të e Superiores vazhdon nesër me ndeshjet Egnatia-Kukësi, Partizani-Teuta dhe Erzeni-Tirana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.