Kombetarja

Vlerësim nga rivalët për Shqipërinë, Bufon: Do të jetë një problem për të gjithë!

Gazeta Si – Përtej diplomacisë së rastit, pas shortit të Gjermani 2024 duket se ka një vlerësim serioz për Kombëtaren shqiptare nga rivalët e saj. Spanja, Kroacia dhe Italia janë emra të mëdhenj, megjithatë trajnerët e këtyre skuadrave u druhen kuqezinjve.

Zllatko Daliç, trajneri i Kroacisë që ka punuar edhe në Shqipëri te Dinamo, është shprehur se duhet studiuar loja e Kombëtares sonë, pasi ka bërë një fazë kualifikuese shumë të mirë. Sipas tij, fakti që ka dalë e para në grupin e saj duhet marrë në konsideratë.

Edhe trajneri spanjoll, De la Fuente, ka qenë në këtë linjë, duke i dhënë vlerësimin maksimal skuadrës së Silvinjos. Në kampin italian, ku na njohin edhe më mirë, më qartë ka folur legjenda Xhanluixhi Bufon, pjesëmarrës në shortin e Hamburgut dhe shef i delegacionit të Italisë.

"Ndoshta teknikisht janë më të forta se ne Spanja dhe Kroacia, por në nivelin e unitetit dhe grupit nuk e di sa skuadra mund të jenë më të mira se Italia. Me Shqipërinë është më mirë që të luajmë që në fillim, por duhet ta marrim me shumë kujdes, sepse do të jetë një problem për të gjithë", - u shpreh Bufon pas shortit.

Të thëna këto fjalë nga një emër i madh si Bufon, sigurisht që duhen vlerësuar. Shqipëria ka më pak shanse për të kaluar grupin, por ajo që kuqezinjtë do të bëjnë në fushë realisht mbetet e gjitha për t’u zbuluar. Deri në qershor ka shumë kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë