Kosova

Vjosa Osmani, juristja “e ashpër” që premton drejtësi, punë dhe vaksina në Kosovë

Pas lodhjes nga beteja, lotët e fitores: “Unë dua të them vetëm këtë. Se gratë kanë të drejtë të shkojnë ku të duan. Mos ndaloni, kurrë mos ndaloni së ecuri përpara. Sepse të gjitha ëndrrat tuaja mund të bëhen realitet”.

Vjosa Osmani-Sadriu rezistoi aq sa mundi dhe të dielën në mbrëmje, kur Parlamenti i Prishtinës zgjodhi presidentin e saj të Kosovës, ajo u prek gjatë fjalës së saj të falënderimit.

Vetëm ajo, juristja e ashpër 38-vjeçare, e cila për dhjetë vjet ka luftuar me “maskilizmin” dhe ironitë e politikës ballkanike. “Guxo!”, ishte emri i lëvizjes së vogël që ajo themeloi për t'u bërë deputete, dhe me një farë guximi e arriti atë.

Ushtruese e detyrës së presidentit që nga nëntori i vitit të kaluar, që nga arrestimi i presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohej në Hagë për krime lufte dhe kundër njerëzimit, Vjosa është kreu i shtatë i shtetit në 13 vitet e pavarësisë së Kosovës.

Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme, kur Thaçi komandoi UÇK-në dhe luftoi ashpër me serbët. Sot, ajo është një pragmatiste idealiste e lindur në qytetin e ndarë të Mitrovicës, e cila ka studiuar në SHBA, flet pesë gjuhë, ka një burrë dhe dy vajza binjake, mban gradën e profesoreshës në Universitetin e Prishtinës, e do Perëndimin më shumë se Lindjen dhe premton drejtësi, punë, vaksina: "Unë do të forcoj shtetin, shtetin e së drejtës", - është motoja e saj, që do të thotë, të mposhtësh korrupsionin e një vendi kaq të ri, por tashmë kaq të kalbur.

Vjosa Osmani me familjen e saj

Kosova është femër! Sepse Vjosa gjithashtu mbart valën e gjatë të një qeverie ku, nga 15 ministrat, gjashtë janë gra dhe një Parlament me një të tretën e deputetëve. Nuk ishte e sigurt që ajo do t’ia dilte.

E nxitur nga super-fitorja në shkurt e kryeministrit të ri anti-kastë, Albin Kurti, i cili mori shumicën absolute me lëvizjen e tij për Vetëvendosje, Vjosa duhej të përballej me mosbesimin e atyre që e akuzojnë atë për mungesë përvoje dhe derën e ngushtë të një dhome, ku “guerilasit” e vjetër të UÇK-së janë akoma të fortë.

Edhe pakicat serbe ishin shprehur në favor të bojkotit. Thirrja e parë, të shtunën, nuk gjeti kuorum dhe shumica e njerëzve menduan se po ngrihej një ngërç: kushti ideal për opozitën dhe për ta çuar vendin në zgjedhjet e tij të gjashta politike, me shpresën e një përmbysjeje të bujshme.

Por jo: figura e Vjosës, shumë e njohur në Kosovë, përfundimisht bindi disa deputetë që ta votojnë atë me shumicë të thjeshtë, në votimin e tretë dhe ta kurorëzojnë me 71 vota nga 120.

Presidentja e ri është 38 vjeçe dhe do të mbetet në detyrë për pesë vjet. Dhe ka punë. Ajo nuk do të ketë vetëm një rol nderi, sepse i jep asaj fuqi në politikën e jashtme dhe komandimin e forcave të armatosura. Kosova ende nuk është njohur nga pothuajse gjysma e botës: pak më shumë se njëqind vende kanë hapur një ambasadë në Prishtinë.

Mungojnë Rusia dhe Kina, miqtë e serbëve, si dhe partnerë themelorë evropianë, si Spanja dhe Greqia, të cilët i druhen gjithmonë efektit domino të pavarësisë.

Sidoqoftë, disa vëzhgues, pas paqes së vogël të favorizuar vitin e kaluar nga presidenca Trump, shohin që një marrëveshje me armikun e përjetshëm serb, po afron.

"Paqja do të arrihet vetëm kur Beogradi të pranojë mëkatet e tij dhe të kërkojë falje për luftën e vitit 1999, - është refreni i presidentes, - dhe vetëm kur kriminelët e luftës të jenë ndëshkuar".

Në realitet, pas gati një çerek shekulli, pikat e takimit janë në interes si të Serbisë, e etur për t'u bashkuar me BE-në, ashtu dhe Kosovës, e cila ka probleme më urgjente.

Brezi i Kurtit dhe Osmanit drejtohet nga këto nevoja, në një vend me më pak se dy milionë banorë, i munduar nga emigracioni, me të ardhura mesatare 500 euro në muaj dhe papunësi mbi 50%.

"Arritja e paqes me Serbinë nuk është një përparësi", - përsërit shpesh kryeministri, por nuk ka asnjë mënyrë për ta shmangur atë. Dhe nuk ka zhvillim pa një paqe përfundimtare.

Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti

Sa mund të bëjë Vjosa? Është gruaja e dytë që rritet në detyrë të plotë. Ajo që i parapriu asaj në fillim të viteve 2000, Atifete Jahjaga, u përpoq pa shumë sukses për të ndryshuar diçka.

Ndikimi i "gjarprit" Thaçi, ishte ende shumë i fortë për të filluar reformat e vërteta. Por tani që një Kosovë më e re shfaqet në botë dhe dëshira për të mbyllur llogaritë me një brez, sa "heroik",  aq dhe të korruptuar, është e fortë, Vjosa dhe Kurti mund të luajnë letra të tjera.

Partia e tyre kontrollon presidencën e republikës, qeverinë dhe Parlamentin. Vetëm Ibrahim Rugova, babai i Kosovës së pavarur, kishte kaq shumë popullaritet dhe kaq shumë fuqi: a do të jenë në gjendje nipërit e mbesat e tij të shmangin të njëjtat gabime?

Burimi: “Corriere della Sera”; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë