Futboll

Vjen oferta e parë për Çelsin, 2.3 miliardë euro nga një grup amerikano-zviceran

Gazeta Si - Roman Abramoviç do të marrë zyrtarisht shumë shpejt ofertën e parë për Çelsin. Ai konfirmoi publikisht se e ka nxjerrë në shitje klubin londinez, kampion në fuqi i Europës, dhe se të ardhurat do të shkojnë në ndihmë të familjeve të goditura nga lufta në Ukrainë.

Sipas tabloidit “Sun”, një konsorcium amerikano-zviceran, i përbërë nga Todd Boehly dhe Hansjorg Wyss, ka intensifikuar tratativat. Abramoviç, që synon ta shesë klubin edhe për shkak të frikës nga sanksionet, duke qenë se njihet si njeri i afërt i Putinit, kërkon rreth 3.3 miliardë euro. Një shifër, që nga specialistët e fushës, konsiderohet e vështirë për t’u arritur.

Selia e klubit te Çelsit. Gazeta Si, 4 mars 2022

Blerësit e parë të mundshëm, - Boehly ka kuota të skuadrës së bejsbollit LA Dodgers, ndërsa Wyss është një milioner zviceran që operon në sektorin mjekësor dhe shëndetësor, - duket se nuk i afrohen kësaj shifre, duke ofruar 2.3 miliardë euro. Abramoviç ka autorizuar bankierët amerikanë të “Raine Group” të gjejnë blerës brenda 15 marsit.

Kjo konfirmon nxitimin e oligarkut rus për të mbyllur sa më parë shitjen. Interes ka edhe nga dy grupe të tjera, përveç Jim Ratcliffe, njeriut më të pasur në Britaninë e Madhe, me një pasuri që i kalon 7 miliardë euro.

Premier Liga ka garantuar tifozët e Çelsit se skuadra mund ta vazhdojë sezonin, të paktën për javët e ardhshme, pavarësisht nga sanksionet e mundshme ndaj Abramoviçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë