Para

Vjedhjet spektakolare të bankave në Shqipëri. Milionat e grabitura që nuk u gjetën kurrë

Megjithëse vend me një demokraci të re, 29-vjeçare, ngjarjet e grabitjeve të bankave në Shqipëri, janë konkurruese me grabitjet spektakolare që kanë ndodhur përtej kufijve. Në këto 29 vite, shuma e grabitur është gati 60 mln euro.

*Vjedhja e parë e bujshme është shënuar më 30 mars, 1992. I quajtur skandali “ARSIDI”, ku u vodhën 1.6 milionë $. Një francez, me emrin Nikolas Arsidi, 74 vjeç, mori përsipër shlyerjen e borxhit të jashtëm të Shqipërisë, duke përfituar në formë honorari një kambial prej 1.6 milionë dollarësh. Edhe pse paratë u morën, shlyerja e borxhit nuk u bë e mundur. Ndërkohë që, kjo mënyrë operimi u cilësua e jashtëligjshme. Pas nisjes së një procesi nga ana e prokurorisë, u arrestuan pesë zyrtarë të nivelit të lartë, mes të cilëve ish-kryeministri Vilson Ahmeti i cili sapo kishte lënë detyrën, guvernatori Ilir Hoti dhe tre bankierë. Ata u dënuan nga 12 vjet burg, por falë amnistive të bëra në vitin 1997, të gjithë të mësipërmit u liruan.

*Këtë ngjarje e pasoi më 29 janar 1993 vjedhja e Bankës së Kursimeve në Tiranë në Bulevardin “Zogu i Parë”. Dhe qeveria e kohës ia faturoi këtë grabitje, grupit të ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi”, prej të cilës ka marrë emrin dosja. U mendua se shifra e grabitur ishte 307 mijë $, por shuma asnjëherë nuk u saktësua nga zyrtarët.

*Më 20 janar të 1995-ës u grabitën 2.6 mln në Bankën e Kursimeve, Vlorë.
*Dy vjet më vonë, ndodh një tjetër grabitje. Nën kërcënimin e armëve, personat e armatosur kanë hyrë në mjediset e bankës dhe morën paratë që ndodheshin. Sipas policisë, vlera e parave të marra shkonte 2.6 milionë lekë të rinj dhe, sipas policisë, autorët rezultonin anëtarët e organizatës “Hakmarrja për Drejtësi”.

  • 1997, bandat grabitën të gjitha bankat e shtetit
    Në 1997-ën Shqipëria përjetoi luftë civile dhe vendi ishte nën kontrollin e bandave. Në atë periudhë tek shteti u paralizua, gati të gjitha bankat ranë pre e grabitësve. U grabitën degët e bankës së Kursimeve në Gjirokastër, Berat, Kuçovë, Skrapar, Tepelenë etj. Vetëm në filialin e Gjirokastrës, u grabitën afro 320 milionë lekë të vjetra, nga një bandë e armatosur prej 16 vetësh, të cilët mbetën të vrarë, dy ditë më pas, në masakrën e Levanit. Kurse për të grabitur bankën e kursimeve në qytetin e Beratit, bandat e këtij qyteti përdorën mjete të blinduara të cilat i kishin marrë në repartet e ushtrisë, të shkatërruara në atë periudhë.

*Më 12 janar 1998 u grabit Banka e Tropojës. Shuma e grabitur ishte 480 mln lekë.

  • Më 23 shtator 1998 dy zyrtarë të BKT-së kërkuan të transferonin në një bankë tjetër 2 mln dollarë për llogari të bankës ku punonin. Por rezultoi se materialet shkresore, ishin false. Pas nisjes së hetimeve, Prokuroria e Tiranës firmosi në mungesë, dy urdhër arresti për punonjësit S.Z. dhe A.L. Trupi gjykues dënoi me 2 vjet burg në mungesë, dy punonjësit, pasi ata ishin arratisur në Kanada dhe Amerikë.
  • Në shtator 1998 u zbulua vjedhja e arit në Tunelin e Kërrabës. Grabitja u zbulua të ishte bërë në trazirat e marsit, 1997 dhe kishte vazhduar edhe më vonë. Nga llogaritë e bëra, rezultoi se ishin grabitur 340 kilogramë flori. Floriri i mbetur u transportua menjëherë drejt Tiranës. Pas nisjes së hetimeve u ndaluan 5 persona, banorë të fshatit Krrabë, si të përfshirë në grabitjen e arit, të cilët më pas u dënuan.
  • Më 29 tetor 1998 në Tropojë një grup i madh personash të armatosur, grabitën Bankën e Kursimeve. Shuma rezultoi 80 milionë lekë. Një grup i madh personash të armatosur, me uniforma ushtarake dhe policie, morën me forcë vinçin e ndërmarrjes pyjore dhe e nxorën kasafortën e blinduar të bankës nëpërmjet murit anësor të saj. Kasaforta u gjet e hapur në lumin Valbonë dy ditë më pas. Autorët nuk janë zbuluar ende.
  • Më 25 mars 2000 një djalë i ri, me emrin Kejdi Kote, nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, me ndihmën e një grupi prej 12 personash, duke përfshirë deri dhe pjesëtarë të personelit të Bankës së Kursimeve, mori 250 milionë lekë që ndodheshin në numrin e llogarisë të një biznesmeni nga Berati. Grabitja e Kotes u realizua duke falsifikuar dokumentet. Ai u arrestua dhe u dënua me 12 vjet burg dhe pas mbarimit të tij është i lirë.
    *Më 23 gusht 2002 ndodh grabitja e bankës BKT në Vlorë. Milionat e grabitura u përdorën nga autorët për blerjen e një lokali që më pas është kthyer në disko dhe të një hyrjeje pallati.

*15 nëntor, 2002, pas një urdhër arresti të prokurorisë, policia arrestoi zëvendësguvernatorin e Bankës së Shqipërisë Dhame Pite. Ai u akuzua dhe dënua më pas, për abuzime me tenderin e prerjes së kartëmonedhave në shumën e 600 mijë eurove, duke u bërë zyrtari i dytë i arrestuar dhe dënuar i bankës, pas guvernatorit Ilir Hoti.

*7 gusht 2003 grabitet “Western Union” në Kamëz

*6 maj 2004 u grabitën 25 mijë euro në Western Union tek Rruga e Kavajës

*28 shkurt 2004 Banka e Kursimeve, dega e Tiranës, u vodh nga punonjëset e saj. Zyrtaret e njësisë Nr. 4, të kësaj Banke të Kursimit, nëpërmjet falsifikimeve, morën shumën e 200 milionë lekë të rinj. Pas denoncimit, prokuroria arrestoi 7 punonjëse, të cilat u dënuan.

*6 gusht, 2005 u grabit Banka Amerikane

*20 qershor, 2008 u grabitën 300 mijë lekë në një filial të një banke të nivelit të dytë në Tiranë dhe më pas u bë arrestimi i tij.

*1 gusht, 2008 u grabit banka në autostradë. Persona të armatosur hynë në mjediset e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen e 30 mijë eurove nën kërcënimin e armëve. Brenda pak ditësh, policia arriti të arrestojë të tre autorët.

*22 nëntor 2008 u grabitën 500 mijë lekë në një filial banke të nivelit të dytë tek rruga “Bardhyl”.

*Korrik 2014 Banka Qendrore u gdhi me 713 mln lekë më pak në arkën e saj.
Për këtë ngjarje përfunduan në pranga rreth 10 persona, bashkë me ish-guvernatorin e BSH-së, Adrian Fullani. Ndërsa grabitjen e parave e mori përsipër punonjësi i bankës, Ardian Bitraj, i cili gjatë kohës kur janë kryer hetimet, ka treguar se paratë që ka marrë në Thesarin e Shtetit, i ka luajtur në bixhoz. Ai është dënuar me 13 vite e katër muaj burg. U dënua me 10 vite burg edhe Mimoza Bruzaj, ish-punonjëse në BSH. Ndërsa ishguvernatori i BSH-së, Adrian Fullani, mori pafajësi dhe dëmshpërblim 42 mln lekë.

*13 shkurt 2015 u grabitën 2.5 mln euro në një bankë të nivelit të dytë, pranë Stacionit të Trenit. Në pranga përfunduan 8 rojet private, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

*3 korrik 2015 u grabit një bankë në Durrës. Grabitësit nën kërcënimin e armëve morën rreth 38 milionë lekë të vjetra. Vetëm pak ditë pas ngjarjes, Policia e Durrësit ka mundur të vërë në pranga dy autorët e grabitjes.

*3 dhjetor 2015 u grabitën në Rinas 3.8 mln euro në Kashar.Një grup i armatosur sulmon në afërsi të vendit të quajtur kryqëzimi i Domjes në Kashar, mjetet e blinduara të një shoqërie private sigurie duke i marrë paratë që ata transportonin. Pas hetimeve të policisë, u arrestuan 6 punonjës të shoqërisë private.

*1 korrik 2016 ndodh skandali në Aeroportin e Rinasit, ku një bandë grabitësish, të veshur me uniforma policie, sulmojnë rojet e shoqërisë private Rogat Security, që transportonin paratë në Rinas, duke u marrë 3 milionë euro nën kërcënimin e armëve. Grabitja është kryer në mjediset e brendshme të Aeroportit. Kjo ngjarje u zbulua bashkë me grabitjen tjetër.

*9 shkurt 2017 u grabitën3.2 mln euro në Qafë-Kashar

*9 prill 2019 u grabitën brenda në Aeroportin e Rinasit, në avionin e linjës Tiranë-Vjenë të kompanisë Austria Airlines 10 mln euro.

Në të gjitha deklaratat e policisë për grabitjet respektive përshkruhet ngjarja dhe fati i autorëve. Mandej gjykata jep vendim për masën e sigurisë së fajtorëve. Por në asnjë rast nuk është bërë e ditur nga institucionet përgjegjëse se në ç’drejtim kanë shkuar paratë e grabitura.

 

Më Shumë