Gazeta Si - Ish-kryekomunari i Bërxullës, Ymer Marku dhe 3 persona të tjerë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, janë vënë në pranga një ditë pasi Prokuroria e Tiranës kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se përveç Ymer Markut, në pranga kanë ranë edhe dy zyrtarët e tjerë, Kujtim Balliu e Agim Loci, si edhe shtetasi Kujtim Allmeta, pasi akuzohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përfituan pronën nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, duke e tjetërsuar atë.
“Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasit: Y. M., 55 vjeç, K. B., 65 vjeç, A. L., 53 vjeç, të tre banues në Vorë, dhe K. A., 60 vjeç, banues në Kombinat. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë”, raporton policia.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar sipërfaqja e tokës 7500 m2, në fshatin Bërxullë, në Bashkinë e Vorës.
Sipërfaqja e tokës është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nga Prokuroria e Tiranës është kërkuar sekuestrimi i saj, pasi i është shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.
Kjo kompani, rezulton të jetë nën pronësinë e nipit të ish deputetit socialist Sadri Abazi.
“Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmeta (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qënë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull”, informon Prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.