Drejtësia

Tjetësuan 7.500 m2 tokë dhe më pas e shitën, Prokuroria e Tiranës kërkon burg për ish-kryekomunarin e Bërxullës dhe dy ish-zyrtarë të tjerë

Gazeta Si- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrestimin e 3 ish-zyrtarëve të Komunës Bërxullë, Ymer Markun, Kujtim Balliun, Agim Locin, si edhe shtetasin Kujtim Allmeta, pasi akuzohen se përfituan 7.500 metër katrorë tokë nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.

Gjithashtu është kërkuar sekuestrimi i tokës i llojit “Arë”, pasi dyshohet se është përfituar në mënyrë të paligjshme dhe më pas i është shitur shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja.

“Nga hetimi rezultoi se plani i rivelimit për pasurinë me sip 7.500 m2 shkoi në favor të shtetasit Kujtim Allmeta (nënshkruar/firmosur) nga Kryeplaku i Fshatit Bërxullë shtetasi Agim Loci dhe Kryetari i Komunës Ymer Marku, në një kohë kur tokat në kodër Bërxullë kanë qenë toka të Bashkisë Vorë dhe në vitin 1998 kanë kaluar në administrim të ish-Komunës Bërxull”, njofton Prokuroria.

Sipas hetimeve, Ymer Marku, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të Komunës Bërxullë nga viti 2004 – gusht deri në vitin 2015, në shkresën e datës 13 korrik 2005, ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për shtetasit A.A., P.A. dhe Sh.A.

Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit Agim Loci kanë nënshkruar në plan rilevimin për pasuritë e këtyre shtetasve.

Por në shkresën e datës 12 maj 2015 me lëndë “Dërgim dokumentacioni për regjistrim” është formuluar/konceptuar nga specialisti i Z.M.M.T, shtetasi Kujtim Balliu dhe është firmosur nga kryetari i Komunës, Ymer Marku për të njëjtën pasuri në emër të Kujtim Allmetës (ndryshe nga sa kishte vepruar më parë për të njëjtën pasuri).

“Personi nën Kujtim Balliu, i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Tiranë ka përpiluar shkresat për dërgimin për regjistrim bashkëlidhur dhe ka dërguar AMTP origjinale pa numër në emër të shtetasit Kujtim Allmeta për pasurinë me nr.1032 z.k.1167 me sipërfaqe 7.500 m2, pa kryer më parë verifikimin në dokumentacionin që dispozonon zyra e tij. Ndërkohë që Kujtim Allmeta, nuk mund të pajisej me AMTP pa numër datë 14.1.1996 (e falsifikuar sipas aktit të ekspertimit) pasi ishte pajisur me AMTP me nr.30 datë 06.01.1996, për pasurinë me nr.133/12, me sipërfaqe 5.100 m2 e llojit arë (sa ka qënë edhe norma për frymë)”, vijon Prokuroria.

Kujtim Allmeta, sipas Prokurorisë, rezulton se pasi ka përvetësuar pasurinë me dokumente të falsifikuara në bashkëpunim me punonjësit e Komunës Bërxullë dhe kryeplakun e fshatit, ka përfituar edhe të ardhura monetare në vlerën 10.000.000 lekë të rinj, duke konsumuar dhe veprën “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, duke tjetërsuar pasurinë me qëllim mbulimin e origjinës së saj, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

Sipas Prokurorisë, gjatë ushtrimit të detyrës në Komunën Bërxullë, shtetasit Ymer Marku, Kujtim Balliu, Agim Loci akuzohet në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” , pasi ka dyshime të bazuara në prova se këta punonjës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën funksionale, duke cënuar interesat e ligjshëm të shtetit dhe personave të tjerë pretendues, për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit jo të ligjshëm të pasurisë të pretenduar dhe gëzuar prej vitesh prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë