Para

Vjedhja e madhe e kumarit

Ligji për lojrat e fatit, detyron kompanitë e kumarit që të kthejnë minimalisht 80 për qind të shumës së luajtur si fitime për lojtarët. Por vitin e kaluar, norma mesatare e fitimit për kazinotë ishte 38 për qind, ndërkohë që kompani të caktuara e kanë fitimin deri në 70 për qind të xhiros. Përballë shkeljes flagrante të ligjit, qeveria hesht duke lejuar vjedhjen e hapur të qytetarëve.

Industria e kumarit është zgjeruar me ritme të frikshme gjatë viteve të fundit, e favorizuar nga lehtësirat ligjore të qeverisë, ulja e taksave, por edhe moszbatimi i ligjit. Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit tregojnë se vitin e kaluar shqiptarët luajtën rreth 130 milionë euro në baste dhe kazino ose 18 për qind më shumë se në vitin 2016.

Por zgjerimi i frikshëm i bixhozit është vetëm njëra anë e medaljes. Paralelisht e gjithë industria është jashtë kontrollit të ligjit, duke abuzuar dhe vjedhur në mënyrë flagrante qytetarët.

Në vitin 2014, Parlamenti miratoi një ligj të ri për lojrat e fatit. Në nenin 18, ligji detyron bingot dhe kazinotë, që të kthejnë mbrapsh si fitime për lojtarët të paktën 80 për qind të shumës së luajtur. Por bilancet zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e kompanive kthejnë si fitime për lojtarët më pak se 20 për qind të shumës, ndërkohë që vetë realizojnë fitime marramendëse, deri në 70 për qind të xhiros.

Pjesë nga ligji për Lojrat e Fatit

Referuar fitimit që kompanitë e kumarit kanë deklaruar vetë në bilancet e tyre, bëhet fjalë për një vjedhje të paktën 20 milionë euro vetëm për vitin e kaluar, para të cilat kompanitë e bixhozit duhet t'ja u kishin kthyer mbrapsh lojtarëve në formën e fitimeve, por në të vërtetë i kanë arkëtuar vetë.

Torta e kumarit

Aktualisht në Shqipëri operojnë 19 kompani të lojrave të fatit, nga të cilat 10 janë kazino, 3 janë kompani të basteve sportive, ndërsa pjesa tjetër është e ndarë mes llotarisë kombëtare, bingove dhe një kompanie e lojrave elektronike në distancë.

Pjesa më e madhe e tortës 130 milionë euro të kumarit i përket kazinove. Sipas të dhënave nga bilancet zyrtare, vitin e kaluar 10 kompanitë e kazinove që kryejnë aktivitet në Shqipëri, arkëtuan 81 milionë euro duke zënë 62 për qind të gjithë tregut të kumarit në vend.  

Në total, Shqipëria ka 10 kompani kazinosh, nga të cilat një është kazino kombëtare, ndërsa 9 të tjera janë kazino elektronike. Kompania më e madhe e kazinove në Shqipëri është APEX.al. Vitin e kaluar, sipas bilancit zyrtar, kjo kompani arkëtoi 19.6 milionë euro, nga të cilat 13.7 milionë euro ose 70 për qind e xhiros shkuan si fitim i pastër për aksionerët e saj.   

Një tjetër kompani me normë të lartë fitimi, rrëth 45 për qind, është VLT Albania. Në vitin 2017 kjo kompani arkëtoi 8.6 milionë euro, nga të cilat 3.9 milionë rezultuan fitim i pastër. Adriatik Games realizoi një xhiro 17.8 milionë euro, me normë fitimi 19.1 për qind, ndërsa ASTRA Albania kishte një qarkullim vjetor 16.6 milionë euro dhe fitim 4.9 milionë euro.  

Kazinoja kombëtare, Regency Casino pati një qarkullim vjetor 10.9 milionë euro, ndërsa norma e fitimit të saj rezultoi 3.5 milionë euro ose 32 për qind e xhiros. Në total, norma mesatare e fitimit për tregun e kazinove ka rezultuar 37.9 për qind, kur sipas ligjit duhet të ishte rreth 10 për qind.  

Bastet

Ndonëse perceptimi publik është se bastet sportive janë forma më e përhapur e kumarit në Shqipëri, të dhënat e bilanceve tregojnë se ky sektor qëndron pas kazinove. Aktualisht në Shqipëri ka 3 kompani bastesh, që janë Lotto Sport, ITSGA dhe Top Start. Kjo e fundit ka aktivitet paralel edhe në fushën e kazinove.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar, shqiptarët luajtën 45.5 milionë euro në baste. Por ndryshe nga kazinotë, fitimet e basteve janë minimale.

Dy kompanitë e para Lotto Sport dhe Top Start arkëtuan respektivisht 16.6 dhe 18.2 milionë euro, ndërsa kompania e tretë ITSGA pati një xhiro prej 10.7 milionë euro. 

Në total të tre kompanitë kanë fituar vetëm 110 mijë euro. Lotto Sport pati një fitim prej 100 mijë eurosh gjatë vitit të kaluar. Top Start fitoi 350 mijë euro, ndërsa ITSGA e ka mbyllur bilancin e 2017-ës me një humbje prej 340 mijë eurosh.

Një tjetër kompani kumari që nuk ka përjetuar një vit të mirë financiar, është edhe Lotaria Kombëtare edhe pse kjo e fundit nuk i përket tregut të basteve. Vitin e kaluar, Lotaria Kombëtare arkëtoi 2.3 miliardë euro nga shitja e biletave, por kompania deklaroi një humbje prej 2.8 milionë eurosh pasi shpenzimet e saj rezultuan më të larta se sa të ardhurat.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë