Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë nga Kancelari, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim ku u diskutua për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe u dakordua që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.
Sipas njoftimit për media, Kurti e uroi kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë.
Ai foli për ringjalljen dhe rritjen ekonomike që po përjeton Kosova që nga paslufta, e që këtë vit siç tha ai parashikohet të jetë 9.9 për qind, dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Schallenberg edhe për rritjen e shënuar në investimet e huaja direkte të cilat këtë vit janë 89 për qind më të mëdha sesa mesatarja e tyre gjatë dekadës së fundit dhe më të lartat që nga shpallja e pavarësisë”, thuhet në njoftim.
Kancelari Schallenberg nënvizoi rëndësinë e investimeve të Austrisë, që renditet e pesta për nga investimet direkte në Kosovë.
Gjatë takimit është diskutuar edhe në lidhje me liberalizimin e vizave, ku u tha po ashtu se Austria qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve europiane.
“Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës sot janë bërë 3 vjet, 4 muaj e 5 ditë qëkur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herën e dytë liberalizmin e vizave. Kancelari austriak dha mbështetjen e tij të plotë në lidhje me liberalizimin e vizave dhe tha se Austria i qëndron pranë Kosovës dhe e mbështetë atë në procesin e integrimeve europiane”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.