Shkencë

Vitin 2018, pse debatojmë ende nëse gratë mund të bëjnë fizikë?

Jess Wade/ NewScientist - Të premten e shkuar, fola në një trajnim mbi çështjet gjinore dhe fizikën e energjisë së lartë, që po mbahej në laboratorin e fizikës bërthamorë  të Cern-it, në Gjenevë. Isha ftuar në konferencë për të folur rreth programeve britanikë mbi barazinë gjinore në fizikë. Jam krenare që jam e përfshirë në skema të tilla, si ato që drejtohen nga universiteti im, “Imperial College”, i Londrës, i përkushtuar për përmirësimin e barazisë dhe diversitetit.E dija se do të përballesha me njerëz që vlerësonin të dhënat dhe faktet dhe kalova një copë here të mirë duke bërë bashkë një fjalim,  që do të tregonte raportin pas këtyre nismave dhe ndikimin e tyre në komunitetin e gjerë shkencor.

Organizatorët kishin punuar fort që ta bënin një konferencë të mirë;  ishte plot me kërkues në fillim të karrierës, të cilët po punonin me Teorinë e Vargut, të cilëve u ishte dhënë mundësia të paraqitnin punën e tyre entuziaste në Cern, një institut aq i njohur botërisht. Edhe për një fizikan jo të energjisë së lartë (unë punoj me eksperimentimin e gjendjes së ngurtë të fizikës), ky ishte nder i madh. Gjatë gjithë ditës, kishte mundësi diskutimi mbi sfidat që këta shkencëtarë të rinj mund të hasnin gjatë karrierës për shkak të gjinisë – një realitet qesharak por fatkeq, edhe në 2018-ën. Trishtueshëm, ngjarja u la në hije nga një fjalim i dhënë prej Alessandro Strumias nga Universiteti i Pizës, në Itali, një anëtar prej një kohe të gjatë i bashkëpunimit me Cern. Ai u kish thënë organizatorëve se do të paraqiste një këndvështrim historik të përfaqësimit të grave në botimet akademike.

Fizikania britanike Jess Wade

Por në të vërtetë, ai ofendoi profesorët që koordinonin takimin, audiencën e grave të reja dhe, tani, të gjitha gratë shkencëtare në të gjithë botën. Me pak fjalë, ai pretendoi se gratë nuk ishin aq të mira në fizikë, ishin promovuar shumë herët dhe kishin marrë financime në shpërpjesëtim me aftësitë e tyre. Ndryshe nga fjalimi im, i mbështetur në fakte, ai citoi një tufë mendimesh të varfra rreth shkencës gjinore nga mendimtarë të krahut të djathtë, si James Damore, që u pushua nga Google vitin e kaluar sepse kishte pikëpamje të ngjashme.  Veçanërisht  e shëmtuar ishte  numri i njerëzve që thanë se ky nuk është lajm dhe se  opinionet e tij dihen mirë dhe janë të zakonshme brenda komunitetit të teorisë së vargut. Nuk duhet të shtrohet kështu. Vërejtjet e tij ishin fyese, por edhe të dëmshme. Kur njerëzit në pozita pushteti shpërndajnë ide të tilla, ata u mësojnë brezit të ri të shkencëtarëve se një sjellje e tillë është normale. Por nuk është.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë