Politike

Viti i ri shkollor, Basha: Çdo mësues duhet të ketë testin anti-Covid

Në prag të vitit të ri shkollor, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kërkon testim masiv të stafit mësimor sepse vetëm kështu sipas tij do të mund të shmanget një zinxhir i mundshëm infeksioni.

“Tashmë shumë pranë, nisja e vitit të ri shkollor është një ditë e mirëpritur nga mijëra nxënës, prindër dhe staf pedagogjik në të gjithë vendin.

Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.

Veç dezinfektimit të ambienteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor.

Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19. Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën.

Ndërkohë që Kosova pritet ta zbatojë këtë plan, qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e masave për të siguruar testimet për stafin mësimor.

Jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe të gjithë shqiptarëve është sot më i rëndësishëm se çdo shoë politik!”, shkruan Basha në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë