Politike

Virusi “theu” karantinën politike mes Ramës dhe Metës

Në dekikën e fundit, kur Presidenti Ilir Meta për herë të parë po falenderonte një kryebashkiak (atë të Kavajës) të dalë nga zgjedhjet që ai nuk i njeh, anëtarët socialistë të Komisionit Hetimor zgjatën me një zë shkarkimin e tij deri në fund të muajit korrik.

Shprehja romake “Jepi Çezarit atë që është e Çezarit” zgjati vetëm 24 orët e 31 marsit. 

Në kapërcyellin e muajt prill, panorama duket më e nderë...

Që prej dy prillit, Presidenti lëshon piskamën e parë. E lidh problemin me dhjetëra qytetarë që ndodhen të bllokuar në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe Malin e Zi. Situata e pritjes së tyre në kufirin shqiptar, sipas Metës, kërkon zgjidhje nga autoritetet shtetërore. Të njëjtin apel Presidenti i Republikës përsëriti tre ditë më parë, edhe pse autoritetet folën. Dje edhe kryeministri Rama.   

Tani Ilir Meta mesazhet i ka më të forta. Ai i kujton qeverisë në një tjetër deklaratë se, “çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe se miratimi i masave kufizuese nuk duhet rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore”.

Shfaqet i shqetësuar edhe për situatën e krijuar në Qarkun e Shkodrës, nga ku u rizgjua debati politik mes kryebashkiakes së djathtë, Voltana Ademi dhe qeverisë.  

Meta, nga ana e tij, tregohet protokollar në veprime pasi telefonon si kryebashkiaken e përfaqësuar nga PD-ja ashtu edhe Prefektin e Qarkut të emëruar nga PS-ja. Por mesazhi i tij nuk është aq formal. Dhe këtë e tregon në një bisedë të mëvonshme me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Për situatën në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova edhe një bisedë telefonike me Ministren e Shëndetësisë, znj.Ogerta Manastirliu. Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve... ”, njofton Meta.

Foto gjate mbledhjes se fundit online te Keshillit te Sigurise per Covid-19

“Me qetësi dhe me drejtësi”

Ilir Meta që “dashurinë” (prej fillimmarsit) e ka zëvendësuar me “drejtësinë” po e ruan zorshëm “qetësinë” e ditëve, pa mbushur muajin e pandemisë.

Ai e la mënjanë aksionin e tij politik edhe pse e vijoi të tillë edhe më 9 mars kur ftoi në mënyrë të beftë të gjithë qytetarët se, nëse kishin shqetësime apo nuk merrnin trajtimin e duhur mjekësor, nuk u kushtohej vëmendja apo ishin nënvlerësuar në marrjen e masave, ta kontaktonin pa hezitim në një adresë email-i që Presidenca vuri në dispozicion. Dhe jo vetëm. Për këtë çështje u ngrit një Task-Force në Presidencë dhe u vunë në dispozicion të denoncuesve plot dy numra telefoni.

Ky qëndrim në dukje i palëkundur i Metës u sfumua më pas me një pasiguri dhe luhatje nga ana e tij, kur kryeministri Edi Rama tha publikisht se një gjë e tillë nuk ishte parë e dëgjuar në asnjë vend të botës. Pra, kur secili kah (e kishte bërë edhe Basha më pas) kishte ngritur nga një Task-Forcë për qejf të vet edhe pse halli ishte i përbashkët.

Vetëm pak ditë më vonë, Meta bëri piruetën e parë politike. Përshëndeti publikisht mbështetjen financiare të Kryeministrit Rama. Ai u tregua gjithashtu i gatshëm t’i shkurtohej paga njësoj si për zyrtarët e tjerë të lartë sipas planit të parashikuar nga qeveria.

Meta “harroi” Task-Forcën edhe kur kërkoi në një takim të veçantë për masat, ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, apo kur ende pa u tharë boja e Ramës për emërimin e ri, Meta priti në zyrë Arben Ahmetajn, i sapongarkuari për emergjencën e Covid-19.

Palët u “kalamendën” të vetkënaqur edhe gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku, siç raportoi Presidenca. takimi (me të gjitha ngjyrat politike) u zhvillua “në një frymë tepër konstruktive dhe bashkëpunuese”.

Foto: Rama dhe Meta gjate nje ceremonie

Një requiem…

Deri më tash Ilir Meta ka folur në emër të interesit të përbashkët. Por deklarata e tij për “punë të mirë të qeverisë” me zgjatjen pa afat të virusit “nëpër hundë” është e vështirë të mbijetojë. Dhe fillim prilli po e tregon këtë.

Sepse problemet mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama janë po aty. Një virus i mbrapshtë vetëm mund t’i shtyjë. Edhe për pak. Sekëlldisjet dhe dyshimet për çdo lëvizje politike nga ana e kundërshtarit mbeten po aty,  

Sepse fjala e 2 marsit e Ilir Metës mbetet histori për vijim;

“Se ky nuk është shteti i së drejtës dhe i qytetarëve; Se pasuria kombëtare po vidhet; Se sistemi i drejtësisë është kapur prej fyti; Se financat publike po shterojnë dhe borxhet po rriten; Se ekonomia e shumicës është në ditët më të errëta; Se një grup oligarkësh po bëjnë krime kushtetuese…etj., etj”.

...Hendeku mes asaj se çfarë duhet bërë tani dhe asaj për të fituar pikë në këtë kohë pandemie është sprova e çastit nga të dy (Meta e Rama). “Fushata” sapo ka filluar…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë