Libra

Viljevo, një histori kroate që mund të jetë edhe shqiptare…

Forca e shtypjes është në përpjesëtim të drejtë me forcën e rezistencës e me dëshirën për liri, në Kroaci dhe kudo. Kjo histori përgjimesh e lufte për mbijetesë, si dhe përpjekjesh për ringritje, mund të jetë zhvilluar gjatë verës së vitit 1943, a kurdoherë. “Ngjarjet që po përshkruaj janë verifikuar rregullisht në Osijek gjatë verës së vitit 1943. Ata muaj i kujtoj si kohë e vdekur: frontet e luftës nëpër botë ishin në aktivitet të plotë, ashtu si edhe në brendësi të Kroacisë, asokohe në aleancë me fuqitë e Boshtit. Por në Osijek, kryeqyteti i Velika župa Baranija (Zhupanës së Madhe të Baranjës) dhe në selinë e Kammerhofer-it, kishte rënë heshtja”, shkruan autori përmes personazheve të tij.

Romani “Viljevo”, i sjellë për lexuesin shqiptar nga botimet “Pegi” , me përkthimin e Ben Andonit, flet për kujtesën, traumën dhe ndërkomunikimin: një triptik me tri zëra, që lidh historiografinë, romanin modern dhe prozën e përpunuar me kujdes, në të cilën janë shtuar tekste jashtëletrare e teknike. Pjesa hyrëse e fton lexuesin të ndjekë arratinë e dy motrave në një të shkuar të çuditshme, në fshatin slloven me emrin Viljevo. Kohën dhe hapësirën e saktë nuk di ta thotë kurrkush, ashtu sikurse vite më vonë asnjeri nuk do të dijë të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në pjesën e dytë, të titulluar “Në pasmesnatë”, tregohet vijimësia e fatit të personazheve të pjesës së parë, shkruar në trajtën e një transkripti të copëzuar bisedash, plot me korrigjime, ku mes germave të ftohta ngrihen dyshimet e mëdha të boshtit të veprës. Ngjarjet e pjesës së tretë, që vendosen në Osijekun e vitit 1943, ndjekin zhurmat e një radiostacioni ilegal antifashist. Pengesat e mistershme teknike aq sa shpjegojnë tërësinë e veprës, aq edhe hapin rrugë  të reja për interpretim. Në romanin Viljevo, kategoria e kohë-hapësirës thërrmohet e bluhet në mes të fjalive, sekuencave binare dhe transkripteve të bisedave, shpeshherë fragmentare e të ndërprera me ca sekonda, duke krijuar një lloj të ri të letërsisë, që do ta bëjë lexuesin aktiv e të  përfshirë në vepër.“Në këtë vepër me tematikë sa sllave, aq edhe botërore, lexuesit i është lënë në dorë çelësi i interpretimit, e ai duhet të gjejë të shkuarën e të zhbirojë në një kohë të pakohë.”, shkruan kritikja Jagna Pogačnik. Luka Bekavac, lindur në Osijek, Kroaci, në vitin 1976, është shkrimtar, përkthyes dhe teoricien letërsie. Ai jep mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale në Zagreb dhe shkruan vazhdimisht artikuj për filozofinë, letërsinë e krahasuar dhe muzikën në gazeta e revista kulturore me emër. Romanet e tij, Drenje (2011) dhe Viljevo (2013), janë kandiduar për  një sërë çmimesh kombëtare. Në vitin 2015, romani Viljevo u nderua me Çmimin Europian të Letërsisë për Kroacinë.




Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë