Ka ndodhur

Viktimat e para nga moti i keq, gjenden trupat e babë e bir që i mori rrjedha e ujit në Malësi të Madhe

Gazeta Si - Pas 16 orë krkimesh, trupat e pajetë të babë e bir, të cilët i mori rrjedhja e ujit në Malësi të Madhe, janë gjetur mëngjesin e së hënës nga forcat e policisë.

Trupat e tyre u gjetën përgjatë përroit në Bogë, në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në Shkrel, Malësi e Madhe

Polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kryen 16 orë kërkime intensive që prej ditës së djeshme kur u dha alarmi për zhdukjen e tyre.

50-vjeçari Pjetër Rushaj po udhëtonte me makinë së bashku me djalin dhe vajzën e tij të dielën, ku rrjedha e ujit mori përpara makinën e tyre.

Fatmirësisht vajza mundi të dilte dhe shpëtoi. Ndërsa për fat të keq, at e bir nuk ia dolën dot.

Ata janë viktimat e para nga moti i keq që ka mbërthyer Shqipërinë që prej fundjavës.

Ndërkohë, situata vijon të jetë problematike sa i takon pasojave nga moti i keq që ka përfshirë vendin këto 2 ditë.

Qarku Shkodër: Më problematike situata paraqitet në qarkun e Shkodrës. Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për pezullimi në 16 shkolla në këtë qark.

Qarku Lezhë: Edhe pse gjatë natës territori i Lezhës ka pasur reshje me intensitet të ulët, disa zona kanë ende probleme me energjinë elektrike. Aktualisht janë të përmbytura rreth 1500 hektarë tokë bujqësore në Zadrime, Torovice dhe Kakarriq si dhe dy shtëpi kanë prezence uji në Kakarriq. Ndërkohë, është bllokuar rruga që lidh fshatin blinisht me superstradën Lezhë-Shkodër. Ky segment ka prezence uji dhe është i pakalueshëm për autoveturat.

Qarku Durrës: Në Fushë Krujë gjatë natës ka dalë nga shtrati lumi Ishëm, ku uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit nëpër ara shkon në rreth 50 cm. Aktualisht janë rreth 10 banesa të izoluara nga uji në fshatin Murqinë.

Qarku Gjirokastër: 5 njësi Administrative, Luftinjë Bashkia Memaliaj, Piskovë e Frashër Bashkia Përmet, Zagorie Bashkia Libohovë, Dropull i Sipërm Bashkia Dropull, Odrie Bashkia Gjirokastër kanë mbetur pa energji elektrike. Disa akse rrugore janë bllokuar gjatë natës nga rrëshqitja e gurëve, por me ndërhyrjen e ARRSH janë liruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë