Ka ndodhur

Babë e bir të zhdukur në Malësinë e Madhe, i mori rrjedha e ujit

Dy persona rezultojnë të humbur, pasi rrjedha e një përroi ka marrë përpara automjetin me të cilin po udhëtonin, në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në Shkrel të Malësisë së madhe. Që prej mbrëmjes së djeshme, e gjithë zona, në veri dhe verlindje të vendit, është goditur nga një mot i keq me shira të dendur, të cilat kanë vazhduar me intenstitet të lartë dhe gjatë ditës.

Sipas një njoftimi të policisë në automjetin e rrëmbyer nga rrjedha e ujit udhëtonin tre persona banorë të zonës, dhe pjesëtarë të së njëjtës familje. Vajza e cila ka mundur të dalë nga mjeti, është ndihmuar dhe nga një banor i zonës, ndërkohë që babai i saj, 50 vjeç dhe i vëllai, nuk ia kanë dalë.

“Në vendngjarje ndodhen polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH-së Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, të cilët po punojnë për gjetjen e dy shtetasve (babë e bir)”, bën të ditur njoftimi i policisë.

Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit po shoqërohen me dëmtime të shumta në Shkodër, Lezhë, Malësi të Madhe dhe në Vaun e Dejës. Sipas emergjencave civile, më shumë se 500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, dhjetra banesa, sera dhe biznese private gjenden nën pushtetin e ujit, ndërsa energjia elektrike është ndërprerë në pjesën më të madhe të fshatrave. Disa familje janë evakuuar. Në zonë janë forcat e emergjencave civile të ndihmuara dhe nga njësi të ushtrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë