Partia Demokratike nuk tërhiqet nga akuzat e saj se autoritetet po fshehin numrin real të vdekjeve nga Covid dhe për këtë arsye i kërkon Prokurorisë që të hetojë.
“Numri i vdekjeve nga COVID, sipas dokumentacionit që bëri publik z. Basha është shumë më i lartë se ai i bërë publik nga qeveria në komunikatat e përditshme. Fshehja e numrit të vdekjeve dhe dhënia e informacioneve të rreme për publikun nga ana e institucioneve shtetërore është kriminale dhe duhet të hetohet. Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48-orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën”, tha përfaqësuesi i PD, Bardh Spahia.
PD vlerëson se hetimi i prokurorisë është e vetmja rrugë që e vërteta të dalë në shesh, të mos fshihet dhe ta mësojnë qytetarët, ndërsa përgjegjësit e manipulimit të shifrave, sipas opozitës, të japin llogari para ligjit.
Pas denoncimit të Lulzim Bashës mbrëmjen e së enjtes, ku tha se numri i të vdekurve nga Covid ishte të paktën 2 herë më i lartë, reaguan mjekët e spitalit Infektiv, që hodhën poshtë këto pretendime dhe paralajmëruan se nëse të tilla akuza përsëriteshin do të kërkonin hetimin nga Prokuroria. Por, Bardh Spahia akuzoi Kryeministrin Rama se po i shmanget përgjegjësisë që ka në dështimin katastrofik në menaxhimin e pandemisë, duke u fshehur pas mjekëve.
“Partia Demokratike çmon lart punën dhe sakrificat që po bëjnë mjekët dhe infermierët gjatë kësaj pandemie të tmerrshme dhe dënon përpjekjet e Edi Ramës për të keqpërdorur politikisht kontributin e tyre të jashtëzakonshëm me qëllimin e ulët të fshehjes së të vërtetës për dështimin e tij”, mbyllet deklarata e PD.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.