Politike

Vdekjet e Covid përplasin në distancë Bashën me Ramën

Lulzim Basha dhe Edi Rama u përplasën në distancë për numrin e viktimave të shkaktuara nga Covid-19. Kreu i Partisë Demokratike akuzoi Qeverinë se ka fshehur prej fillimit të pandemisë dhe vazhdon të fshehë numrin real të viktimave të virusit, duke raportuar vetëm gjysmat e tyre.

Basha foli për një denoncim që ka mbërritur në zyrën e tij nga morgu i Tiranës, sipas të cilit tha se provohet që numri i viktimave të Covid nga marsi në tetor është rreth dy herë më i lartë.

“Ka ardhur një denoncim i cili është verifikuar siç ju thashë dhe keni shifrën e vdekjeve të raportuara zyrtarisht deri në fund të tetorit dhe keni vdekjet e vërtetuara si vdekje nga COVID-i në morgun e Tiranës. Vdekjet e vërtetuara janë vetëm të pacientëve në spitalet COVID, jo atyre që kanë vdekur në shtëpi dhe për këtë ne disponojmë edhe listën me emrat e viktimave ditë për ditë”, deklaroi Basha në gjatë një interviste për Opinion.

Sipas denoncimit të Bashës, nga marsi deri në tetor, autoritetet kanë raportuar zyrtarisht 509 të vdekur si pasojë e Covid, ndërsa numri real i tyre është 923. Kreu i opozitës akuzoi se manipulimi me shifrat vazhdon edhe përgjatë nëntorit. Ai tha se deri më 17 nëntor, kur ka marrë PD shifrat e fundit, janë regjistruar 315 të vdekur, ndërsa zyrtarisht raportohet 128 më pak se gjysma e tyre.

Basha kërkoi ndërhyrjen e prokurorisë,

“Në qoftë se sot do të kishim një prokurori funksionale për veprën penale të fshehjes së informacionit në këtë moment këtu duhet të vinin prokurorë t’i marrin ato dokumente dhe të shkojnë të konfiskojnë dokumentet në morg dhe të nisin një hetim kush ka fshehur numrin e viktimave reale. I bëj thirrje Prokurorisë që të shkojë në morg të marrë evidencat e plota, të vërtetojë që po bëhet politikë me të vdekurit”, u shpreh Basha.

Kryeministri Edi Rama u kundërpërgjigj duke hedhur poshtë pretendimet e Bashës. Ai i interpreton këto deklarata si pjesë e strategjisë së opozitës për të mbjellë panik, konfuzion, shqetësim dhe katastrofë tek qytetarët.

“Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”, deklaroi Kryeministri gjatë një interviste për Neës24.

Megjithatë, Rama ja hoqi përgjegjësinë e Qeverisë në raportimin e shifrave.

“Statistikat nuk i prodhon Qeveria. Këtu jetojmë në një kohë shumë të keqe për t’u përballur me këtë mortje, se jetojmë në kohën kur faktet duhet të bëjnë luftë të madhe për të mbijetuar përballë shpifjeve. Ne nuk jemi asgjëkundi në asnjë të dhënë më keq se sa e gjithë bota”, vijoi ai.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë