Sociale

Viktima e 33 dhe 25 raste të reja. Shtohen vatrat në Tiranë, mes tyre call-center

Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër pacient i prekur nga Covid-19, ka humbur jetën, ndërkohë ka 25 raste të reja. Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor, deklaroi se  pacienti 69-vjecar  me inicialet S.K ishte në terapi intensive. Ndërsa përsa i përket të infektuarëve, Cami deklaroi se 24 prej tyre janë në Tiranë dhe 1 në Durrës. Mjekja bëri me dije se të infektuarit janë raste të kontakteve të mëparshme dhe vatra të reja.

“Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës. Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë. Ne 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë. Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029. Prej tyre, rreth 78% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër,” shpjegoi Cami.

Më tej mjekja iu bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Ndërkohë bëri me dije edhe një herë që nëse kanë simptoma të sëmundjes të telefonojnë në numrin 127, ndërsa nëse kanë nevojë për informacion të telefonojnë në numrin 0800 40 40.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive vijon:

Tiranë 80 raste

 Durrës 54 raste

Krujë 24 raste

Shkodër 12 raste

Berat 10 raste

Kamëz 9 raste

 Fier 2 raste

Mirditë 1 rast

Korçë 1 rast


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë